Lajme

Deputetja shqiptare nga RMV-ja, anëtarëve të KiE-së: Po të kishte çmim Nobel për liri do t’i jepej familjes Jashari


Deputetja shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Arta Bilalli, gjatë fjalimit të saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka thënë se e vlerëson shumë raportin e Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“E vlerësoj shumë raportin pozitiv nga zonja Bakoyannis. Nuk pajtohem me opinionet që ky anëtarësim do të krijonte konflikte të reja në Evropë”, tha deputetja nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

“Po të kishte çmim për liri do t’i jepej familjes Jashari nga Prekazi i Kosovës. 56 anëtarë të saj janë vrarë për një ditë të vetme. Ai çmim Nobel nuk iu është dhënë familjes Jashari, por duke përkrahur këtë raport do t’i japim Kosovës një ulëse në familjen e madhe evropiane të cilës i përkasin”, shtoi Bilalli.

Tutje ajo ka vazhduar fjalimin e saj duke i pyetur deputetët se “a është krijuar ky këshill për të ndalur luftën midis shteteve të ndryshme në Evropë”?, derisa ka shtuar se “pajtohemi gjithë që po”.

“Komentet që ky anëtarësim shkakton luftëra e konflikte në Evropë nuk tingëllojnë aq mirë”.

Ndyshe, përpiluesja e raportit, Dora Bakoyannis, ka theksuar se gjatë punës së saj, “asnjë gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në hartimin e raportit dhe shtoi se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Bakoyannis ka deklaruar se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ajo shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore