Lajme

Deputetja Reshitaj: Jam kërcënuar dy herë


Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka thënë se gjatë të mërkurës është kërcënuar në dy raste.

Reshitaj përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka deklaruar se rasti i parë i ka ndodhur rrugës për në punë dhe rasti i dytë i ka ndodhur në zyrën e saj në fakultet.

“Të nderuar qytetarë, unë sot jam kërcënuar dy herë. Njëherë rrugës duke ardhur në punë dhe e dyta në zyrën time në Fakultet”.

“Le ta kuptojë kushdo që është pas që nuk munden me më kërcënu, shantazhu dhe që vendimet e mia do të jenë gjithmonë në të mirë të institucioneve dhe qytetarit”, ka shkruar Reshitaj në Facebook.

Reshitaj, e kontaktuar nga mediumi “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se aktualisht është në Polici e që po pret për të dhënë deklaratën e saj.

“Jam në Polici për momentin, të lutem derisa të jap deklaratën këtu se jam edhe e shqetësume pak, nuk po mundem me u përgjigje në telefonata”, tha Reshitaj.

Ajo shtoi se pasi ta japë deklaratën ka nevojë të shkojë te mjeku.

Nga Policia e Kosovës, kanë deklaruar se nuk kanë pranuar asnjë informacion deri tani për raprortim nga deputetja Reshitaj.

Reshitaj, është deputete e Kuvendit të Kosovës që nga viti 2021.

Ajo në shtator të vitit 2017 ishte emëruar si ministre në Mjedisin dhe Planifikimit Hapësinor, duke u bërë gruaja e parë që udhëhiqet këtë ministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore