Lajme

Deputeti ukrainas, përfaqësuesve serbë në KiE: S’ndërtohet Perandoria Serbe më – Kosova është Evropë


Oleksiy Goncharenko

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, ka thënë se Kosova dëshiron të jetë pjesë e botës së lirë dhe, e meriton këtë gjë, derisa në gjuhën shqipe ai ka deklaruar “Kosova është Evropë”.

“Ne duhet të bëjmë këtë hap sot, kjo është shumë më rëndësi”, tha Goncharenko.

Deputeti ukrainas iu ka drejtuar edhe Serbisë, pasi që përfaqësuesit e saj e kundërshtuan anëtarësimin e Kosovës në KiE, duke u thënë se nuk mund ta ndërtojnë më Perandorinë Serbe.

“Dhe e fundit, jo për nga rëndësia, t’i drejtohem Serbisë: Shihni vendet tjera në histori, kemi pasur kënaqësinë që të punojmë me një Serbi demokratike. Nuk ndërtohet më Perandoria Serbe, nuk ka më mundësi në Ballkan”, theksoi ai.

“Në përgjithësi nuk ka vend në Evropë më për perandor, as rus e as kurrfarë tjetër. Thjesht ndaleni këtë… kalojeni këtë kapitull më, të bëhemi bashkë, të ndërtohemi bashkë, t’i shkëpusim këto lidhje me Putin-in dhe diktatorët e tjerë. Kjo vetëm ju çon drejt varfërisë, problemeve, kaosit sepse e shihni edhe sot… ndaleni këtë, ecni tutje, të punojmë bashkë me fqinjët tanë, të kemi guximin për të ndalur të gjithë tiranët në kontinentin tonë, së bashku këtë mund ta bëjmë”, potencoi ai.

Në fund të fjalimit të tij, Goncharenko foli në gjuhën shqipe, ku tha: “Kosova është Evropë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore