Shqipëria

Deputetët e PD-së kërkojnë heqjen e “blindave” nga selia


Gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, kanë qenë dy deputetët demokratë Helidon Bushati dhe Ervin Salianji, të cilët kanë kërkuar heqjen e “dyerve të blinduara”.

Bushati është shprehur se heqja e tyre do të jetë hapi i parë “drejt bashkimit të partisë”.

Ndërsa, Salianji e konsideron një veprim simbolik, ku përmes saj tregohet “hapja e partisë”.

Mbledhja e 23 marsit ishte thirrur për të diskutuar pikërisht përplasjet brenda kësaj force politike.

Kujtojmë që dy ditë më parë, Lulzim Basha dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD-së.

Ky vendim i tij erdhi fill pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, Kryesisë dhe Kolegjit të Kryetarëve pasditen e 21 marsit.

“Jemi këtu për të mirën e PD-së. Bashkimi është kryefjala e retorikes dhe e vlerësimit tonë politik”, u shpreh fillimisht Bushati.

Sipas tij, vetëm të bashkuar mund të jenë konkurrues në zgjedhjet e ardhshme, duke cilësuar se “lokalet janë më të afërta”.

Sakaq, Salianji ka deklaruar se dyert e hekurit “ta shpifin” dhe as nuk preken me dorë. Për këtë arsye duhen hequr.

Pas largimit të ish-kryedemokratit, numri dy i PD-së, Gazment Bardhi bëri me dije në një njoftim për mediat, se detyrën e përkohshme për drejtimin e PD-së do ta ketë nënkryetari Enkelejd Alibeaj.

Ky i fundit theksoi se PD-ja ishte gati të bashkëpunonte me anëtarët e tjerë të grupit që janë pezulluar, për t’i dhënë fund përçarjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore