Shqipëria

Deputetët e PD-së firmosin rezolutën kundër gjenocidit serb në Kosovë


Deputetët e Partisë Demokratike në Shqipëri, të martën e 31 majit, kanë firmosur projektrezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.

Rezoluta cakton 15 janarin, si ditën e përkujtimit të masakrës së Reçakut dhe pritet të diskutohet për t’u miratuar në Parlament.

“Rezoluta e thekson dhe përdor termin ‘gjenocid’ për dhunën e kryer nga forcat serbe në territorin e Kosovës. Ajo bazohet në raportin e Reporterit Special të OKB-së A/53/322 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dt. 11 shtator 1998”.

Gjithashtu, në projektrezolutë përmendet data 9 korrik 1999, “nën retë e zeza të gjenocidit, e që karakterizohet edhe nga fushata e spastrimit etnik të kryer nga autoritetet serbe në Kosovë”.

“Ka vetëm një qëllim: të dëbojë nga Kosova ose të vrasë sa më shumë shqiptarë etnik, duke i mohuar të drejtat themelore për jetën, lirinë dhe sigurinë. Rezoluta u referohet krimeve të kryera nga forcat serbe përmes një fushate të planifikuar dhe institucionalizuar në rang shtetëror, me qëllim zhdukjen e shqiptarëve dhe ndryshimin e dhunshëm të përbërjes etnike”.

Siç vihet re në dokument, rezoluta është firmosur edhe nga kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Nuk dihet akoma nëse firma e Berishës do të ndikojë në vendimmarrjen e parlamentit.

Kjo, sepse Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas rrëzimit të rezolutës për dënimin e masakrës së Srebrenicës, ka sqaruar se mazhoranca nuk do të votojë kurrë një propozim të ardhur nga një person i shpallur non grata, si Berisha.

Masakra e Reçakut

Më 15 janar të vitit 1999, forcat serbe në fshatin Reçak kishin ndarë burrat nga familjet e tyre dhe, më pas, ata u gjetën të ekzekutuar në afërsi të fshatit në një mal.

Për shefin e atëhershëm të Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ambasadorin amerikan William Walker, vrasja e 45 civilëve të Reçakut u cilësua si krim kundër njerëzimit.

Masakra e Reçakut shënoi edhe kthesën e luftës së Kosovës, sepse vendet perëndimore, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike për gjetjen e një marrëveshjeje me Serbinë, më 24 mars filloi bombardimet ndaj saj përmes forcave veri-atlantike të NATO-s.

Kjo fushatë e detyroi Serbinë të tërhiqte trupat nga Kosova.

Më 10 qershor 1999 filloi vendosja e trupave të NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Në vazhdimësi, autoritetet serbe e kanë mohuar masakrën e Reçakut.

Në vitin 2020, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një deklaratë e kishte cilësuar këtë masakër si një ngjarje “të fabrikuar nga një mashtrues, siç është William Walker, për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s”.

Ndërsa Gjykata Themelore e Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-ministrin e Administratës të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviç, duke e dënuar me dy vjet burg, për një deklaratë që e kishte bërë në vitin 2018, kur masakrën e Reçakut e quajti “trillim”.

Edhe në vitin 2021, retorika e Beogradit nuk ka ndryshuar në raport me Kosovën dhe masakrën e Reçakut, ku ajo gjuhë është përsëritur në vazhdimësi nga ana e zyrtarëve serbë.

William Walker kishte deklaruar pas asaj çfarë kishte thënë presidenti serb Vuçiç për të, duke shtuar se “Kur njerëzit më pyesin për reagimin tim lidhur me deklaratat e presidentit Vuçiç që më thërret gënjeshtar, duke thënë se Reçaku nuk ka ndodhur, reagimi im është që po dëgjoj edhe njëherë fjalët e Sllobodan Millosheviçit”.

Kurse Departamenti Amerikan i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të ministrit serb, Aleksandar Vulin, ka thënë se “mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë”.

“Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit dhënë për REL.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore