Lajme

Deputetët e Aleancës për Shqiptarët i bashkëngjiten letrës së ligjvënësve evropiano-amerikanë në mbështetje të Kosovës


Arben Taravari dhe Albin Kurti

Letrës mbështetëse të dhjëtëra ligjvënësve të lartë evropiano-amerikanë për marrëdhënie me jashtë i janë bashkëngjitur edhe deputetët e Grupit Parlamentar të Aleancës për Shqiptarët (ASH) në Maqedoninë e Veriut, kanë njoftuar nga kjo parti nëpërmjet një komunikate për media.

Aleanca për Shqiptarët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut përfaqësohet nga 8 deputetë – Ziadin Sela, Abdulla Saliu, Artina Qazimi, Atnan Neziri, Ilire Dauti, Elmi Aziri dhe Remzi Memedi dhe Halil Snopçe – ndërsa që të gjithë i janë bashkëngjitur kolegëve të tyre nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe.

“Me këtë rast Alicia Kearns i ka shprehur falënderimin e saj grupit parlamentar të ASH-së për bashkëngjitje letrës së iniciuar nga kryetarët e Komiteteve për Punë të Jashtme të parlamenteve amerikane, gjermane, britanike, ukrainase, islandeze, irlandeze, estoneze, lituaneze, letoneze e çeke”, thuhet në komunikatë.

Dhjetëra ligjvënës kanë kërkuar nga shefat e diplomacive në Bruksel, Londër dhe Uashington, një qasje më të ashpër dhe më të vendosur ndaj Serbisë, ndërsa kanë tërhequr vërejtjen se në adresimin e krizës në veriun e trazuar të Kosovës, politika e përbashkët perëndimore duhet t’i kthehet “ekuilibrit dhe proporcionalitetit”.

Gjithashtu, në letër shprehet shqetësimi se diplomatët perëndimorë po ndjekin një politikë të butë ndaj Serbisë, nga frika se ajo mund të rreshtohet në anën e Rusisë,  kurse nga ana tjetër “Kosova është përballur me pasoja të rëndësishme” për shkak të veprimeve në veriun e territorit.

Ky mesazh i deklaratës së 10 kryetarëve të Komiteteve për Punë të Jashtme dhe 56 deputetëve nga shtetet mike të Kosovës, përfshirë Ukrainën, në Prishtinë ishte pritur me entuziazëm të madh dhe ishte përkthyer nga autoritetet kosovare si çështje solidariteti, ndërsa në Beograd ishte pritur me kritika të mëdha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore