Shqipëria

Dënohet për ndërtim pa leje poetja Mimoza Ahmeti, Rama: Prokuroria godet më të dobëtit


Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ashpër kundrejt Prokurorisë së Tiranës.

Kësaj here për shkak të dënimit me 40 orë punë publike për poeten Mimoza Ahmeti për ndërtim të paligjshëm.

Ngjashëm si një prej botimeve të poetes, Rama e ka quajtur këtë “mbretëri xhuxhash”, duke vënë në qendër të kritikave Prokurorinë e Tiranës se po godet më të dobëtit.

Dhe që nga ana tjetër po favorizon oligarkët e ndërtimeve pa leje.

Prokuroria, sipas Ramës, po bën drejtësi me një poete dhe këngëtar, referuar dënimit të mëparshëm të Bojken Lakos.

Ndërkaq, nuk vepron kundrejt atyre që bëjnë shkelje kilometrike, ka shtuar ai.

“Pas një këngëtari ja edhe një poete, që dënohet me zell nga pikërisht Prokuroria e Tiranës, ku dosjet e denoncimeve nga organet shtetërore për ndërtime të paligjshme për qëllim fitimi apo për evazion fiskal me miliona USD dhe për pastrim të miliona USD, flenë të patrazuara”, ka shkruar Rama.

Patjetër që çdo ndërtim pa leje është i dënueshëm me ligj, ka vijuar ai, po dënimi i atyre që e shkelin ligjin në pronën e tyre vihet përballë mosveprimit sistematik të Prokurorisë së Tiranës ndaj atyre që për qëllime fitimi bëjnë shkelje kilometrike.

“Tamam ‘mbretëri xhuxhash’ ai organ drejtësie me të dobëtit dhe dobësie me të fortët”, ka thënë Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore