Lajme

Dënohen me burgim të përjetshëm terroristët e sulmit në Bataclan


Një gjykatë franceze ka dënuar 20 burra për kryerjen ose ndihmën e sulmeve terroriste islamike, ku mbetën të vrarë 130 njerëz në Paris në vitin 2015, pas një gjyqi që testoi sistemin gjyqësor të vendit dhe ringjalli kujtime të dhimbshme për viktimat.

Salah Abdeslam, i vetmi anëtar i mbijetuar i të ashtuquajturit grupi Shteti Islamik, përgjegjës për sulmet, u dënua me burgim të përjetshëm pa asnjë mundësi për lirim me kusht.

Kryegjykatës Jean-Louis Périès iu desh pothuajse një orë për të lexuar vendimin në një sallë gjyqi mbrëmjen e së mërkurës.

“Pas 148 ditësh seancash gjatë të cilave dëshmuan 415 viktima, gjykata donte të parashtronte arsyetimin e saj”, tha ai.

Përveç Abdeslamit, pesë figura të Shtetit Islamik, të gjykuar në mungesë dhe të supozuar të vdekur në Siri, u dënuan gjithashtu me burgim të përjetshëm pa kusht. Një tjetër i pandehur u dënua me burgim të përjetshëm, me lirim me kusht pas 22 vitesh.

Tre të pandehurit e tjerë u dënuan me 30 vjet, që ishte më e lehtë se dënimet e përjetshme që prokurorët kishin kërkuar.

Ata u dënuan me akuzat për komplot, për të kryer terrorizëm që rrjedhin nga veprimet, duke përfshirë luftimin për grupin e Shtetit Islamik në Siri, ndihmën për planifikimin e sulmeve ose ofrimin e mbështetjes logjistike.

Të pandehurit e mbetur morën dënime më të shkurtra që varionin nga dy deri në 18 vjet për luajtjen e roleve më të vogla dytësore.

Gjyqi rrjedh nga sulmi më vdekjeprurës ndonjëherë në kohë paqeje në Francë, i kryer në nëntor 2015 nga një qelizë franko-belg, e dërguar nga grupi i Shtetit Islamik.

Celula sulmoi njerëzit në një koncert në teatrin “Bataclan”, jashtë “Stade de France” dhe në tarraca të shumta kafenesh dhe restorante në Parisin Lindor. Rreth 400 persona u plagosën.

Viktimat luajtën një rol qendror në gjyq, me qindra që u paraqitën personalisht për të treguar përvojat e tyre të tmerrshme gjatë dhe pas sulmeve.

Pjesëmarrja e tyre pasqyroi një aspekt të veçantë të sistemit ligjor francez, i cili i lejon viktimat të bashkohen me një çështje si palë civile dhe të përfaqësohen nga avokatë, të cilët mund të shqyrtojnë provat, të bëjnë pyetje dhe të thërrasin dëshmitarë.

Virginie Sansico, historiane që vëzhgoi gjyqin si pjesë e një grupi kërkimor, tha se procedurat, si pasojë, kishin një aromë të një komisioni të së vërtetës që synonte të falsifikonte kujtesën kolektive të Francës për ngjarjet.

“Kishte dy procese paralele që po zhvilloheshin, gjykimi i të pandehurve dhe dhënia e hapësirës për viktimat për të folur dhe për të shëruar”, tha ajo për radion “France Info”, përcjell Albanian Post.

Bruno Poncet, një i mbijetuar i sulmit në Bataclan, tha se gjyqi e kishte ndihmuar atë, por ishte i lumtur që kishte përfunduar.

“Të jem viktimë e terrorizmit nuk është profesioni im, kështu që dua të kaloj në një fazë të re të jetës sime”, tha punonjësi 49-vjeçar i hekurudhave.

Pavarësisht dëshmive nga hetuesit, zyrtarët e inteligjencës, akademikët dhe psikologët, disa aspekte të sulmit mbeten të pashpjeguara dhe prokurorët pranojnë se ata nuk ishin në gjendje të sillnin para drejtësisë planifikuesit kryesorë.

Salah Abdeslam

Një tjetër enigmë është arsyeja pse Abdeslam nuk e shpërtheu jelekun e tij shpërthyes: nëse pajisja ishte me defekt, apo ai u tërhoq duke hedhur në erë veten në një kafene në veri të Parisit për shkak të “njerëzimit”?! Ky ishte pretendimi i ngritur në dëshminë e tij.

Gjykatësi Périès tha se gjykata kishte konstatuar se jeleku nuk ishte “funksional”, gjë që “vë në dyshim seriozisht deklaratat e Abdeslam për heqjen dorë”.

Pikëpamjet e shtetasit francez 32-vjeçar, i rritur në Molenbeek, një periferi të Brukselit, kaluan në gjyq mes armiqësisë, provokimit dhe keqardhjes.

Ditën e parë, ai u deklarua ushtar i Shtetit Islamik, i cili i justifikoi sulmet si përgjigje ndaj agresionit francez në Siri, por ditën e fundit u kërkoi falje viktimave.

“Unë nuk jam një vrasës”, tha ai.

Sulmet e Bataclan ishin pjesë e një periudhe traumatike për Francën, me akte terroriste që varionin nga vrasja e gazetarëve në revistën “Charlie Hebdo” deri te një sulm me një kamion në Nice.

Efektet e tij ende jehojnë brenda vendit, duke ndikuar në debatet mbi emigracionin dhe sigurinë, ndërsa e djathta ekstreme ngrihet si një forcë politike.

Marrë nga Financial Times, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore