Lajme

“Deklarim i rrejshëm i pasurisë”, AKK parashtron kallëzim penal kundër Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj


Agjencia Kundër Korrupsionit ka parashtruar kallëzim penal kundër Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, për veprën penale raportimi i rremë i pasurisë.

Lajmin e ka konfirmuar Agjencia Kundër Korrupsion.

“Agjencia kundër Korrupsionit ka përcjell kallëzim penal kundër Blerim Isufaj, vepra penale nga neni 430 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës, me datë 15.02.2022 në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsion për Betimin për Drejtësi.

Isufaj nuk ka pranuar të komentoj kallëzimin penal të ngritur kundër tij.

“Le t’i kallzon krejt Agjencia, unw nuk kam nevojë ta komentoj”, ka qenë përgjigja e shkurtë e Isufajt, pas të cilës përgjigje e ka mbyllur telefonin.

Këshilli Prokurorial i Kosovës më 15 shkurt 2022, ka miratuar listën e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, në të cilën është edhe Blerim Isufaj, aktualisht Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale dhe ish-kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Blerim Isufaj, gjatë kohës së qeverisë së parë të Hashim Thaçit, përgjatë viteve 2008-2010, ishte këshilltar politik i ish-ministres së drejtësisë  të ndjerës, Nekibe Kelmendi.

Në vitin 2010, ai kalon në prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, ku e ka ushtruar detyrën e prokurorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore