Kosova

Deklarata e plotë e Borrellit pas “takimit për menaxhimin e krizave” me Kurtin dhe Vuçiçin


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, së bashku me Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë zhvilluar takim fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pastaj me presidenin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten në Bruksel.

Shtensionimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale në katër komunat e banuara me serbë etnikë dhe (ri)kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, ishin tri kërkesat që shefi i diplomacisë evropiane ua ka paraqitur palëve në këto “takime për menaxhimin e krizave”.

Deklarata e plotë e Josep Borrellit – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë:

Ju e dini shumë mirë që për gati katër javë kemi qenë dëshmitarë të përkeqësimit të panevojshëm të situatës në veri të Kosovës me protesta dhe përleshje të dhunshme. U plagosën trupa të KFOR-it, gazetarë, oficerë të rendit dhe qytetarë të thjeshtë dhe çdo ditë dëgjojmë për incidente.

Kjo është e papranueshme, e papërballueshme, kjo nuk mund të vazhdojë.

Dhe kjo është arsyeja pse i kërkova presidentit [të Serbisë, Aleksanëar] Vuçiç dhe kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti që të vijnë sot në Bruksel për një takim për menaxhimin e krizës. Përsëri, ne jemi në modalitetin e menaxhimit të krizave. Po, kemi të bëjmë me një krizë dhe i falënderoj që të dy që erdhën në Bruksel dhe u përpoqën të kërkojnë de-përshkallëzimin.

Ne i kemi bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë shumë herë që t’i ulin tensionet dhe t’i kthehen procesit të normalizimit të marrëdhënieve – dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë qenë shumë të qarta në thirrjen për ndërmarrjen e hapava, dhe kështu kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara.

Fatkeqësisht, deri më tani, krejt ajo çfarë kemi parë është pikërisht e kundërta.

Sot, së bashku me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, [Miroslav] Lajçak, kaluam katër orët e fundit – më shumë se katër orë – fillimisht me kryeministrin Kurti, më pas me Presidentin Vuçiç, në takime të ndara – nuk ishin takime të përbashkëta – për t’u përpjekur për të gjetur një zgjidhje ose të paktën një rrugë përpara.

Ne i paraqitëm palëve pritshmëritë tona të qarta:

Për Kosovën, që menjëherë të ndërpriten operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës dhe që katër kryetarët e komunave të kryejnë përkohësisht detyrën e tyre jashtë objekteve komunale.

Për Serbinë, të sigurohet që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës.

Të dyjave, që sa më shpejt të shpallen zgjedhje të parakohshme [lokale] në të katër komunat [Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan] me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Këtu është thelbi i problemit dhe thelbi i zgjidhjes; zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhje të reja, sa më shpejt, me pjesëmarrje të plotë.

Dhe më pas, pasi situata në terren të normalizohet, të vazhdojmë të punojmë për normalizimin përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Vetëm pak muaj më parë, ne arritëm një marrëveshje historike për Rrugën Drejt Normalizimit dhe me të vërtetë dukej sikur ishim në një rrugë të mirë për të avancuar normalizimin e marrëdhënieve. Duhet t’i kthehemi zbatimit të kësaj marrëveshjeje, dhe kjo përfshin fillimin – pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm – të negociatave për hartimin e statutit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

Mendoj se kemi qenë shumë të qartë edhe se nuk mund të ketë mosndëshkim për autorët e dhunës, por kjo çështje duhet t’i lihet organeve të drejtësisë që të trajtohet në mënyrë profesionale dhe të paanshme.

Takimi i sotëm nuk u fokusua në atë se çfarë, por në atë se si dhe kur: si të qetësohet situata në terren, si të qetësohet me hapa shumë konkretë, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të ktheheni në dialog dhe zbatimin e të gjitha detyrimeve të Dialogut, në veçanti Marrëveshjen e fundit për Rrugën drejt Normalizimit.

Pas katër orësh takime, mendoj se të dy liderët e kuptojnë ashpërsinë e situatës, por padyshim që janë në situata të ndryshme, qasje të ndryshme, interpretime të ndryshme të shkaqeve dhe, gjithashtu, efekteve, pasojave dhe zgjidhjeve.

Për të ecur përpara, kam hedhur në tryezë propozime konkrete, bazuar në kushtet e përmendura të Bashkimit Evropian.

Dhe të paktën, në këtë kontekst, ne ramë dakord për nevojën e zgjedhjeve të reja dhe diskutuam në detaje modalitetet dhe hapat se si të arrijmë atje. Nuk janë ende aty, por të paktën ne dimë se si të vazhdojmë, dhe cilat janë alternativat dhe procedurat e ndryshme.

Kemi diskutuar edhe për arrestimet. Theksova se arrestimet arbitrare ose të padrejta apo keqtrajtimi i të burgosurve është plotësisht i papranueshëm. Në këtë kontekst,  Misioni ynë [për Sundimin e Ligjit] – EULEX në Kosovë – do të luajë një rol më të fuqishëm në monitorim.

Ia kam theksuar edhe presidentit Vuçiç se tre policët e Kosovës të mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte.

Si përmbledhje, mendoj se ne kemi identifikuar rrugët e mundshme përpara, por të dyja palët duhet urgjentisht të përmbushin angazhimet e tyre. Në veçanti, ia paraqita [Kryeministrit të Kosovës] disa pretendime për trajtimin e të burgosurve dhe arsyet e disa ndalimeve dhe kërkova që të bëhet një hetim dhe vlerësim i plotë i kësaj situate dhe të merren masat e duhura.

Gjëja e fundit që mund të them është se Përfaqësuesi Special [Miroslav] Lajçak dhe unë do të jemi në kontakt të ngushtë me të dyja palët në ditët në vijim.

Unë do t’iu raportoj Ministrave të Jashtëm të hënën [Këshilli i Punëve të Jashtme] se ku qëndrojmë dhe ku duhet të shkojmë.

Faleminderit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore