Lajme

David Sassoli mbështet lejimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, ‘në bllok’


Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli ka bërë thirrje për lejimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Sipas tij, zgjerimi i BE-së do të ishte pozitiv për paqen dhe prosperitetin e unionit.

“Zgjerimi mund të sjellë përfitime të mëdha si në rajon dhe në Evropë në tërësi, duke ndihmuar në sigurimin e një kontinenti të qëndrueshëm, të prosperuar dhe paqësor”, tha Sassoli, sipas raportimeve të medias gjermane Funke Mediengruppe, të dielën e 6 qershorit.

Kjo varet nga përmbushja e kritereve dhe koha që do i duhet vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i përmbushur.

“Reformat duhet të përfundojnë ende në secilën prej këtyre vendeve”, tha Sassoli. Ai shtoi se Bashkimi Evropian gjithashtu duhet të mbajë premtimet e tij dhe të njohë përparimin.

BE-ja tashmë po kryen bisedime pranimi me Malin e Zi dhe Serbinë, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë kandidatë zyrtarë. Maqedonia e Veriut muajin e kaluar mori mbështetjen e Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë për të filluar bisedimet me BE-në.

Bosnje-Hercegovina dhe Kosova deri më tani janë konsideruar si kandidatë të mundshëm për negociata.

Procesi i zgjerimit të BE-së është përballur me sfida të mëdha, duke përfshirë disa ndarje etnike të rrënjosura në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Bullgaria vitin e kaluar vuri veton në fillimin e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut mbi një mosmarrëveshje mbi gjuhën dhe historinë.

Bullgaria dëshiron që Shkupi të pranojë se si identiteti ashtu edhe gjuha e saj kanë rrënjë Bullgare. Muajin e kaluar tha se nuk kishte në plan të hiqte veton e saj në bisedimet e pranimit.

Shkupi ka këmbëngulur prej kohësh se maqedonishtja është një gjuhë e veçantë sllavo-jugore që formon pjesë të kulturës dhe identitetit kombëtar të vendit.

Shumë shtete në Perëndim i kanë kërkuar BE-së të shpejtojë bisedimet e pranimit, duke parë anëtarësimin në bllok si një mënyrë për të kundërshtuar përpjekjet ruse dhe kineze për të fituar ndikim në rajon.

Marrë dhe Përshtatur nga Radio Free Europe për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore