Lajme

DASH-i lëshon alarmin mbarëbotëror për kërcënimet terroriste


Qytetarëve amerikanë që udhëtojnë jashtë vendit u kërkohet të “ushtrojnë kujdes të shtuar” në dritën e tensioneve të rritura globale, të nxitura nga sulmi terrorist i Hamas-it ndaj Izraelit dhe lufta e shpalosur Izrael-Hamas, tha Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në një njoftim të ri të enjten.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi amerikan “ABC News”.

“Për shkak të rritjes së tensioneve në vende të ndryshme anembanë botës, potencialit për sulme terroriste, demonstrata apo veprime të dhunshme kundër qytetarëve dhe interesave të SHBA-ve, Departamenti i Shtetit këshillon qytetarët amerikanë jashtë shtetit që të tregojnë kujdes të shtuar”, thanë zyrtarët në deklaratë.

Departamenti u tha gjithashtu amerikanëve jashtë shtetit që “të qëndrojnë vigjilent në vendet e frekuentuara nga turistët”.

Herën e fundit që departamenti lëshoi një paralajmërim të tillë ishte në gusht 2022, pas sulmit kundër terrorizmit në Afganistan që vrau udhëheqësin e al-Qaeda’s, Ayman al-Zawahiri.

Në atë kohë, zyrtarët amerikanë paralajmëruan “përkrahësit e al-Qaeda’s, ose organizatave terroriste të lidhura me të, mund të kërkojnë të sulmojnë objektet, personelin ose qytetarët e SHBA-ve”.

Një alarm udhëtimi në të gjithë botën në SHBA është i pazakontë, por jo i rrallë.

SHBA-të lëshuan në vitin 2015 një alarm udhëtimi në mbarë botën për qytetarët e saj në përgjigje të “kërcënimeve të shtuara terroriste”, pas sugjerimeve se grupi i Shtetit Islamik [IS], al-Qaeda, Boko Haram dhe të tjerët vazhdonin “të planifikonin sulme terroriste në rajone të shumta”.

Alarmi do të qëndronte në fuqi deri më 24 shkurt të vitit 2016.

Këshilla të ngjashme, të cilat zbatohen kudo jashtë SHBA-ve, u dhanë dy herë në vitin 2011 – pas vdekjes së Osama Bin Ladenit dhe në përvjetorin e dhjetë të sulmeve të 11 shtatorit. Kishte një paralajmërim tjetër po ashtu në gusht të vitit 2013.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore