Lajme

Danimarka akuzohet për racizëm pas ligjit kundër getos të përshtatur për ukrainasit


Danimarka po përballet me pretendime të reja për racizëm.

E gjitha vjen pasi deputetët ndryshuan ligjin e diskutueshëm kundër getos për të lejuar refugjatët ukrainas të lëvizin në banesat sociale të zbrazura nga “joperëndimorët”.

Qeveria e vendit, për tre vite, ka kërkuar të kufizojë emigrantët që të lëvizin në ato që përshkruhen si lagje të pafavorizuara, në një përpjekje për të shmangur të ashtuquajturat “shoqëri paralele”.

Aksesimi i banesave sociale, disa prej të cilave janë caktuar për prishje, është mbyllur për “joperëndimorët”, të përcaktuar si njerëz jashtë Bashkimit Evropian.

Po ashtu, janë përfshirë në kategorinë e atyre që u nënshtrohen kufizimeve edhe të lindurit në Danimarkë që kanë një prind “joperëndimor”.

Megjithatë, pas vendimit të qeverisë daneze për të pranuar 100 mijë refugjatë që ikën nga lufta në Ukrainë, shumica e parlamentit danez votoi për të ndryshuar ligjin.

Kjo për të përjashtuar ukrainasit nga kufizime të tilla.

Kështu, janë vënë në pritje gjithashtu edhe planet për prishjen e banesave sociale në zonat e synuara.

Oficerja gjyqësore, Susheela Math, ka treguar se ndryshimi i ligjit ka vërtetuar se ligji i shoqërisë paralele ishte diskriminues.

“Ligjet që mbështesin dëbimet e qiramarrësve që jetojnë në zonat e cenueshme të banesave dhe qëndrimi i shtetit ndaj masave të tilla, si prishjet dhe ndarjet e banesave, tregojnë se paketa e getos kishte për qëllim të synonte individët jo të bardhë”, ka thënë ajo.

Dhe se masat diskriminuese nuk i shërbejnë asnjë të mire publike dhe përkeqësojnë mungesën e banesave të përballueshme në Danimarkë. Shumë nga banorët e racës që po dëbohen janë danezë dhe identifikohen fuqishëm me identitetin e tyre danez, pasi kanë lindur ose kanë jetuar në zonat geto prej vitesh.

“Këto lagje janë shtëpitë e tyre”, ka shtuar ajo.

Ligji kundër getove u propozua për herë të parë në mars 2018 nga qeveria e pakicës liberale, e cila prezantoi planin politik “Danimarkë pa shoqëri paralele, pa geto deri në vitin 2030”.

Gjithashtu miratoi konceptin “joperëndimor” në ligjin danez.

Kryeministrja Mette Frederiksen e ka vijuar politikën që nga ardhja në pushtet në qershor 2019, megjithëse fjala geto është hequr nga legjislacioni i fundit.

Sakaq, lagjet e synuara kanë mbi një mijë banorë dhe më shumë se gjysma e banorëve janë me origjinë “joperëndimore”.

Në këto zona, kundërvajtjet parashikojnë dyfishin e dënimeve ligjore të vendosura diku tjetër dhe kujdesi ditor është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët mbi moshën një vjeç.

Sipas Statistikave të Danimarkës, 11 për qind e 5.8 milionë banorëve të Danimarkës janë me origjinë të huaj, nga të cilët 58 për qind janë nga një vend i konsideruar “joperëndimor”.

 

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore