Kosova

Daniel Hamilton për Albanian Post: “Shkëmbimi i territoreve nuk është rruga drejt progresit në dialogun Kosovë-Serbi”


“Personalisht, nuk mendoj se shkëmbimi i territoreve është rruga drejt progresit në dialogun Kosovë-Serbi”, ka thënë Daniel Hamilton, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Ndërkombëtare “Woodrow Wilson” në Uashington, në një intervistë me shkrim për Albanian Post.

Në rrugëtimin që pret Kosovën, Hamilton cilëson se prioritet të lartë për Kosovën, si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të ketë “ballafaqimi me korrupsionin dhe zhvendosja e të gjitha shoqërive tona nga sëmundja në shëndet”.

Në mesin e “arsyeve të shumta”, siç shprehet Hamilton, që kanë ndikuar që çështja e Kosovës me Serbinë të mbetet problem i pazgjidhur për një kohë të gjatë, ai vë në pah dështimin e Bashkimit Evropain dhe Shteteve të Bashkuara që t’i kushtojnë vëmendjen e nevojshme kësaj çështjeje.

“Ose ndoshta këto dy të fundit u drejtuan në një rrugë të gabuar nga marrëzitë e çuditshme të Richard Grenell”.

Sidoqoftë, Hamilton tregon se BE dhe SHBA janë të shqetësuara nga korrupsioni i madh dhe kapja e shtetit që shihet midis shumë elitave në rajon – duke qenë pengesa në përpjekjet e këtyre dy të fundit.

“SHBA dhe BE nuk do të imponojnë një zgjidhje, pasi që zgjidhja duhet të vijë nga njerëzit e vendeve të përfshira. Ato mund të ndihmojnë në lehtësimin e këtij dialogu, por në fund të fundit Kosova dhe Serbia duhet të udhëheqin rrugën”.

Hamilton konsideron se me ardhjen e Joe Biden në krye të Shteteve të Bashkuara, ekziston një mundësi më e madhe që të arrihet një zgjidhje përfundimtare për Kosovën.

Është herët që të përcaktohet se çfarë qasje do të ketë Administrata e Biden lidhur me problemin e Kosovës me Serbinë, thotë ai.

“Qasja e Administratës së Biden do të ndikohet konsiderueshëm nga zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë dhe natyrisht pikëpamjet serbe”.

Duket se Joe Biden e njeh Ballkanin Perëndimor dhe çështjet në lidhje me Kosovën më shumë se çdo president tjetër amerikan, sipas Hamilton, meqenëse Biden ka vizituar Kosovën dhe është rregullisht i përditësuar mbi çështjet e kësaj të fundit.

Biden ka të ngjarë t’i kushtojë më shumë vëmendje dialogut Kosovë-Serbi pasi “ai i njeh çështjet e sigurisë evropiane, si dhe ai ka karrierë në adresimin e mënyrave për t’i sjellë ballkanasit në Evropë”.

“Unë po flas vetëm në kapacitet personal, por administrata e Biden ka të ngjarë t’i pastrojë pengesat për përparimin që vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bëjnë për t’u marrë me çështjet e kufirit, korrupsionin, sfidat ekonomike dhe problemet tjera që ndalojnë vendet e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë në rrugën e integrimit të plotë me Bashkimin Evropian dhe NATO”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore