Shqipëria

Dalin pamjet se si grupi Rraja dhunon me shkopinj gome dy vëllezërit Maja për guroren në Krujë


Pjesëtarë të fisit Rraja kanë dhunuar brutalisht me shkopa gome dhe kanë kanosur me armë në kokë dy vëllezërit Bilbil Maja dhe Jashar Maja.

Kjo pasi këta të fundit janë ankuare për punimet në një gurore në Borizanë, e cila është në pronësi të fisit Rraja.

Nga pamjet, personi që mban pistoletë në dorë mësohet të jetë vëllai i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rrajës, Xhelal Rraja.

Ai i drejton pistoletën në kokë personit të dhunuar, i cili ka përfunduar pa ndjenja në tokë pasi është dhunuar.

Grupi, duke mbajtur shkopinj gome në duar, mësyn në një lokal në aksin Fushë Krujë – Thumanë.

Ata nisin të godasin dy vëllezërit – Bilbil Maja dhe Jashar Maja – të cilët ishin të ulur në tavolinë.

Ndërkohë, dikush është dëgjuar t’i nxisë ata për të vazhduar dhunën duke goditur me shkopat e gomës dy vëllezërve që janë ankuar se punimet e gurores në Borizanë për të cilën ka leje shfrytëzimi Përparim Rraja po u dëmtonte banesat e tyre por dhe të zonës përreth.

Sakaq, dhuna e ushtruar ndaj tyre është filmuar nga një person teksa nxitësi vijon duke përdorur dhe fjalor fyes me qëllim nxitjen e dhunës.

Mësohet se ngjarja ka vijuar edhe në verandë të lokalit, sa njëri prej tyre bie pa ndjenja në tokë. Por sërish dhuna nuk ndalon.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e 6 korrikut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore