Lajme

Daka: Udhëzimi Administrativ për peticionin në Veri s’krijon bazë të re ligjore


Valdete Daka

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, beson se iniciativa e Qeverisë së Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për nisjen e procedurave për largimin dhe shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat veriore duke krijuar një Grup Punues që do të hartojë një Udhëzim Administrativ për caktimin e procedurave për peticionin nuk krijon një bazë të re ligjore.

“Udhëzimi administrative mund vetëm ta përcaktojë procedurën se si do të zhvillohet mbajtja apo mbledhja e nënshkrimeve për peticion. Udhëzim administrative mund të rregullojë vetëm procedurat asgjë tjetër. Nuk mund të jep më shumë kompetenca se ato që janë të përcaktuara me ligjin përkatës”, ka potencuar ajo.

Ndryshe Albanian Post muaj më parë kishte kuptuar se Qeveria e Kosovës kishte ndjekur këtë procedur pasi nga KQZ ishte refuzuar krijimi i një procedure të tillë meqë është konstatuar se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore.

Nga KQZ i kanë thënë qeverisë se duhet ligj i veçantë për referendumin që të bëhet e munduar ndjekja e kësaj procedure.

Por, përkundër se pa bazë ligjore, Qeveria ka vazhduar përmes ministrisë duke marrë vendim që të krijojë Grupin Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët.

Ndryshe për çështjen e peticionit foli edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi ndër të tjera se është çështje ditësh kur do të përfundojë krijimi i shtratit ligjor për përdorimin e të drejtës së peticionit përmes së cilës mund të shpallen zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës.

“Është çështje ditësh kur do të përfundojë baza ligjore sa i përket akteve nënligjore dhe atyre të Ministrisë dhe KQZ-së që i përcaktojnë afatet dhe çështjet teknike procedurale lidhur me zbatimin e nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale”.

“Kjo është bazuar edhe në praktikat e mëparshme kur të drejtat që tashmë parashihen me ligj dhe rregullohen me ligj kur duhet të zbatohen ato të drejta çështje procedurale parashihen me akte nënligjore”, shpjegoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore