Shqipëria

Çuçi takon shefin e EULEX-it, dënon dhunën ndaj Policisë së Kosovës


Ministri i Brendshëm shqiptar, Bledar Çuçi, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kreun e misionit të EULEX në Kosovë, ambasadorin Lars Wigermark, me të cilin bisedoi për situatën e krijuar së fundmi në veri të Kosovës, ku tensione të shumta janë zhvilluar dhe prej 10 ditësh, serbët kanë barrikaduar pikëkalimet kufitar.e

Në fjalën kokë më kokë me Wigermark, Çuçi ka theksuar se ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës, ashtu si edhe ato ndaj përfaqësuesve të EULEX-it, apo akt tjetër dhune, i cili bie ndesh me kushtetutën.

Për të, e gjithë situata e nxitur ka krijuar pasiguri për banorët vendas dhe po ashtu ka minuar ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Edhe për vetë shefin e EULEX, vizita ka qenë e dobishme dhe miqësore, ku ka shtuar se temë e diskutimeve të kryera, kanë qenë edhe shteti ligjor dhe situata e sigurisë në gjithë rajonin.

Përveçse në Kosovë, situatë e tensionuar është edhe ajo në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku sërish pjesëmarrëse është pala serbe në Republika Srpska, e udhëhequr nga ultranacionalisti Milorad Dodik.

Ky i fundit, prej kohësh është në kërkim të bashkimit territorial me Serbinë, por pa e arritur këtë të fundit.

Po ashtu, me marrjen e statusit si vend kandidat për në Bashkimin Evropian, Bosnjë dhe Hercegovina hodhi një hap me rëndësi përpara, për integrimin evropian të vendit.

Dodik gjithsesi, shprehu një mendim të kundërt, duke pretenduar se kur të vijë koha për Bosnjën që të anëtarësohet, BE-ja as që do të ekzistojë më.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore