Shqipëria

Çuçi për zhdukjen e Ervis Martinajt: Do të merrni përgjigje përfundimtare kur të kemi një provë të fortë


Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, deklaroi se autoritetet kanë pasur një vëmendje të posaçme “rreth mjegullës që është ngritur” për fatin e të shumëkërkuarit nga drejtësia Ervis Martinaj dhe Policia po merret çdo ditë me zbardhjen e kësaj çështjeje.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.

“Policia e Shtetit vepron sipas ligjeve dhe ka përgjegjësi ligjore për të deklaruar një fakt të caktuar. Nga Policia e Shtetit do të merrni një përgjigje përfundimtare vetëm kur të ketë një provë të fortë”, garantoi zyrtari shqiptar.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) do të urdhëronte më 7 janar një kontroll në banesën e Martinajt, e cila ndodhet në Surrel.

Burime nga drejtuesit e aksionit në Surrel konfirmuan se veprimet po kryhen në kuadër të hetimit të SPAK-ut, në lidhje me operacionin “Plumbi i artë”, i nisur pas dëshmive të bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Kujtojmë që pas kontrollit të ushtruar dy javë më parë në rezidencën e familjes Martinaj në Fushë Kuqe, ky është kontrolli i dytë që ushtrohet pesë muaj nga mbrëmja e 9 gushtit 2022, kur Ervis Martinaj u zhduk pa lënë gjurmë në një zonë në periferi të Durrësit.

Çfarë u gjet?

Pasi u zhvillua operacioni nga Policia në bashkëpunim me FNSH-në dhe RENEA-n u bë me dije se janë sekuestruar armë zjarri, silenciator, mijëra municione luftarake, radio, fenelina, uniforma policie, maska dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Konkretisht: dy armë zjarri automatike, një silenciator, rreth shtatë mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, një thikë bajonetë, nëntë uniforma policie, shtatë jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, dy radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.

Kontrolli ka ardhur mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, regjistruar në SPAK, për vepra të rënda penale të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Sipas Policisë, gjatë kontrollit nuk janë gjetur vlera monetare.

Provat materiale do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.

Prej fundit të korrikut, Martinaj është raportuar si i zhdukur nga familjarët e tij, të cilët kanë bërë edhe kallëzim në Polici pasi kishte humbur krejtësisht gjurmët.

Ka qenë xhaxhai i 40-vjeçarit, Faik Martinaj, ai i cili ka kryer kallëzimin në Policinë e Kurbinit.

Megjithatë, asnjë detaj apo gjetje, nuk janë bërë me dije deri tani nga Policia e Shtetit lidhur me rastin.

Më 19 gusht, Albanian Post raportoi për herë të parë ekskluzivisht se Ervis Martinaj ishte rrëmbyer e më pas vrarë, siç dyshohet nga grupet rivale.

Por, nga ana e Policisë së Shtetit, ende nuk ka një version zyrtar për ngjarjen.

Kjo, pavarësisht një interesi të madh publik, për çështjen e cila është bërë tashmë edhe me konotacion politik, duke parë edhe lidhjet e mundshme që Martinaj ka pasur me botën e politikës.

Ai njihej ndryshe edhe si bosi i lojërave të fatit, pasi operonte në këtë fushë prej vitesh dhe kishte krijuar praktikisht një monopol të tyre, me shuma marramendëse parash të luajtura çdo ditë.

Sa i përket banesës së tij në Fushë-Kuqe, ajo njihej edhe si vendi më i sigurt ku Martinaj strehohej dhe të afërmit, shpesh, e kanë quajtur edhe kështjella e familjes Martinaj.

Kush është Ervis Martinaj?

Emri i Ervis Martinajt është lakuar shpesh pas vitit 2013. Ai u denoncua për kanosje nga një komandant i forcave “Shqiponja” të Policisë së Shtetit në Tiranë, me nisjen e operacionit “Fundi i Marrëzisë”, për lojërat e fatit. Pas denoncimit, ai u shpall në kërkim.

Ervis Martinajt asokohe, iu sekuestruan 400 makineri lojërash fati dhe disa automjete luksoze.

Ngjarja e vitit 2018 pranë një dyqani veshjesh në Tiranë, “Monopol”, ishte ajo, e cila do ta kthente në pëersonazh Martinajn.

Ishte pikërisht data 4 tetor, kur Ervis Martinaj me një grup miqsh, do të futej në dyqanin Monopol, pas një konfliktimi me shtetasin Ervin Mata në një prej lokaleve të zonës.

Prej aty, jo të gjithë dolën të gjallë.

Viktimë, ishte një prej miqve të Martinajt, Fabian Gaxha.

Vetë Ervis Martinaj u plagos gjatë ngjarjes, së bashku me një person tjetër që e shoqëronte, Eljo Hato.

Vrasja e Brilant Martinajt në mbikalimin e Fushë-Krujës ndërkohë, solli në kujtesë edhe vrasjen e ish-efektivit të Policisë, Xhulio Prela, i cili u ekzekutua siç mendohet nga Brilanti, më 29 dhjetor 2021.

Mes konflikteve të familjes Martinaj, ka qenë edhe kjo e vrasjes së oficerit policie në Lezhë.

Në bazë të rregullave kanunore në këto zona, një vrasje baraspeshohet me katër të tjera, të cilat e ndjekin.

Është ky rasti? Mundet!

Mirëpo, këtë herë, duket se numri i duhur ka qenë pesë, duke llogaritur tre viktimat e atentatit në Fushë-Krujë dhe gjetjen e trupave të Martinajt dhe një miku të tijin, edhe pse ky i fundit, mund të ketë qenë thjesht një kolateral…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore