Shqipëria

Çuçi-Nano përshëndesin aksionin e arrestimeve në Morinë: Hetim model, do të vijojë


Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar lidhur me arrestimet e punonjësve të policisë të Pikës Kufitare në Morinë.

“Ishte një hetim model për ndëshkimin e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Jemi të vendosur për të pastruar Policinë e Shtetit nga punonjësit e korruptuar, për të cilët s’ka vend në radhët e kësaj trupe”.

Prokuroria e Posaçme dokumentoi 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë kufitare të Morinës, duke urdhëruar arrestimin e 31 personave. Ndërsa ka pezulluar tre të tjerë.

Mes tyre, i arrestuar është edhe drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Kukës.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, tha se aksioni do të vijojë ndaj çdo efektivi e punonjësi që abuzojnë me detyrën.

“Në këtë operacion policia e shtetit është ndaluar dhe, që në fillim të marrjes së detyrës, unë kam synuar dhe i qëndroj fort pastërtisë së figurës së punonjësve të policisë dhe ato që nuk e gjejnë veten le të largohen dhe nuk mund të bëhet pis uniforma nga disa elementë. Inkurajon të gjithë kolegët për të gjithë personat që abuzojnë me detyrën”.

Të gjithë akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në bazë të hetimeve të SPAK-ut, të gjithë këta shtetas me detyrë punonjës policie favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë, persona që trafikonin automjete dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Sakaq ata ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre në vendet e Bashkimit Evropian, sa u përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar.

Po ashtu, ata ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë masën “arrest me burg” për 17 persona, “arrest në shtëpi” për 14 dhe “pezullim nga detyra” për tre prej tyre.

Ndërkohë Policia e Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurimit personal caktuar nga ana e gjykatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore