Shqipëria

Ç’u bë me padinë e Berishës?


Pas më shumë se dy muajsh, nuk ka asnjë ‘të re’ në lidhje me padinë e Sali Berishës, figurës historike të Partisë Demokratike, ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ende nuk kuptohet nëse avokati francez i zgjedhur nga Berisha, Jean Yves Le Borgne, ka filluar të grumbullojë prova dhe fakte në mbrojtjen e tij kundër sekretarit Blinken, apo nëse padia ekziston në parim.

Kjo, për dy motive. E para, e cila u theksua në konferencën e shtypit nga ana e ish-kryeministrit Berisha, padia u ngrit në mënyrë direkte kundër Blinken-it për shpifje publike, në një shtet neutral, si Franca, në Gjykatën Korrektuese të Parisit.

Ai theksonte asokohe që “në mënyrë kategorike kjo padi nuk ishte një akt kundër SHBA-ve, për të cilat ushqente të njëjtat ndjenja, por ndaj një njeriu që pa rreshtuar as prova, fakte apo argumenta, ngriti akuza që nuk i kishte ngritur askush kurrë ndaj tij, as kundërshtarët më të egër”.

E dyta është faktori-kohë që po kalon dhe arrestimeve apo ndalimeve nga ana e SPAK-ut në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare. Kjo tregon që drejtësia bashkëpunuese është aktive dhe sipas Ambasadores së SHBA-ve, Yuri Kim, ende jo në kulmin e performancës.

Njëkohësisht, kjo rrit trysninë e çështjes dhe volumin e dosjeve kundër tij.

Por, nuk ka ende asnjë shenjë apo impuls nga ana e Le Borgne apo vetë Berishës, që kjo situatë të ketë një përvijim që nga muaji maj.

Fjala e ekspertëve

Sipas disa ekspertëve ligjorë të kontaktuar nga Albanian Post, Blinken nuk ka vepruar si individ, por si institucion, si Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në këtë mënyrë, arsyetojnë ata, Blinken ka vepruar sipas një procedure administrative që parashikon ligji amerikan, kështu që nuk ka pasur asgjë personale.

“Në pamundësi për të akuzuar DASH-in, Berisha ngriti padinë sot për përfaqësuesin e tij, Blinken”.

Ata shtojnë se Berisha nuk ka bazë juridike për parashtrimin e padisë sepse, Sekretari Amerikan i Shtetit gëzon ‘imunitet funksional’.

Ky imunitet, tregon se ai nuk mban asnjë përgjegjësi juridike për veprimet e tij, të kryera në pozicionin që Blinken aktualisht gëzon.

Tweet-i

Një tweet nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të përmblidhte një vendim Amerikan e cila fillonte si një deklaratë personale, por ishte dukshëm një deklaratë me rëndësi departamenti.

“Sot, unë jam duke shpallur caktimin publik non-grata të Sali Berishës, një ish-president i Shqipërisë, ish-kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm”.

Sipas vendimit, më në detaje, Berisha ishte përfshirë në akte korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike. Kjo do të përfshinte përdorimin e fuqisë së tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.

Për më tepër, deklarata vazhdonte me familjarët e afërt kur cilësonte se “retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë”.

Anëtarët e familjes së tij u përmendën gjithashtu si pjesë e të njëjtave kufizime.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete si kjo për të promovuar përgjegjësinë për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht”.

Me këtë deklaratë, në vetëm disa rreshta, SHBA-të goditën një nga ‘simbolet’ e tranzicionit shqiptar.

Po hetimet në Shqipëri?

Eksperti për çështjet ligjore shpjegon hapat ligjor mbi procedurën që mund të ndjekë SPAK-u.

Sipas tij, nëse DASH ka prova, SPAK-u mund t’ia kërkojë ato me anë të një letërporosie.

Në ligjin për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, nenet 22 dhe 23 përcaktojnë saktë rregullat për bashkëpunim ndërkombëtar dhe hetimet e përbashkëta.

Sektori për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta ka si detyrë të bashkëpunojë me autoritete kompetente të shteteve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare si dhe të caktojë anëtarë në strukturat e përbashkëta hetimore.

Juristi i cili dëshiron të ruajë anonimatin shpjegon se, SPAK në zbatim të Nenit 509 të Kodit të Procedurës Penale mund të dërgojë letërporosi drejtuar autoriteteve të huaja për njoftimet dhe marrjen e provave.

Letërporositë, sipas tij, dërgohen nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, e cila merr masa për t’i nisur ato drejt autoriteteve të shteteve të huaja (zakonisht homologët e tyre të cilat ja kalojnë organeve përkatëse të specializuara të shtetit përkatës).

SHBA-të dhe Berisha

Disa analistë politikë shqiptarë argumentojnë se nuk ka asnjë kujtesë institucionale nga Washington-i nëse do të shohim historinë e Berishës dhe SHBA-ve.

Ai ishte udhëheqësi i parë shqiptar që bëri një vizitë në Shtëpinë e Bardhë, më 15 korrik 1992, Presidenti Bush e priti atë me nderime të mëdha. Më 12 shtator 1995, përsëri në Washington duke takuar Presidentin Clinton. Më 10 korrik 2007, Presidenti Bush (Jr) vizitoi Shqipërinë ku Berisha e deklaroi si “mysafirin më të madh dhe më të dallueshëm në historinë shqiptare”.

Në vitin 2009, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) e mirëpriti Shqipërinë si një anëtare dhe Berisha deklaroi se pa ndihmën amerikane kjo nuk do të kishte ndodhur.

Në janar 2011, kur katër demonstrues të opozitës u vranë në bulevard, ambasadori amerikan në Tiranë e konsideronte Sali Berishën si një “burrë shteti”.

Disa argumentojnë se ky është fillimi i një qasjeje nga lart-poshtë për llogaridhënien në Shqipëri. Ndoshta ky është i pari “peshk i madh” që ngatërrohet në rrjetën e Reformës në Drejtësi.

Skena politike shqiptare

Departamenti i Shtetit të SHBA-ve ka bërë përpjekje për të ndarë individin “Berisha” nga Partia Demokratike. Një ndarje e domosdoshme, gjithashtu për t’i dhënë asaj një shans për t’u reformuar, për të hequr dorë nga rruga e Berishës.

Partia që ai krijoi është në një udhëkryq, ata nuk mund ta largojnë, pasi ndikimi i tij në strukturat e partisë është ende shumë i fortë. Nga ana tjetër, ata nuk mund të bëhen armiq të SHBA-ve, pasi ata janë krenarë për “lidhjet e ngushta me Washington-in”.

Për herë të parë, një ish-president dhe kryeministër ballkanas është në listën e zezë të Departamentit të Shtetit dhe me sa duket arsye të forta e kanë detyruar institucionin më të lartë të SHBA-ve që të marrin një vendim të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore