Shqipëria

A ka bazë juridike Berisha për ta paditur Blinken-in?


Kryefjala e këtyre ditëve ka qenë shpallja non grata e Sali Berishës nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka cilësuar ish-kryeministrin dhe ish-presidentin shqiptar, si persona non-grata në SHBA. Gjithashtu, familja e Berishës është cilësuar si non grata nga Sekretari Blinken.

Berisha në prononcimin e parë për media, pas shpalljes i padëshirueshëm nga amerikanët, tha se do të ngrejë një padi ndaj Blinken-it për shpifje publike, në Gjykatën e Parisit.

Sipas disa ekspertëve ligjorë të kontaktuar nga Albanian Post, Blinken nuk ka vepruar personalisht, por si institucion, si Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në këtë mënyrë, arsyetojnë ata, Blinken ka vepruar sipas një procedure administrative që parashikon ligji amerikan, kështu që nuk ka pasur asgjë personale.

“Në pamundësi për të akuzuar DASH-in, Berisha ngriti padinë sot për përfaqësuesin e tij, Blinken”.

Ata shtojnë se Berisha nuk ka bazë juridike për parashtrimin e padisë sepse, Sekretari Amerikan i Shtetit gëzon ‘imunitet funksional’.

Ky imunitet, tregon se ai nuk mban asnjë përgjegjësi juridike për veprimet e tij, të kryera në pozicionin që Blinken aktualisht gëzon.

Po hetimet në Shqipëri?

Eksperti për çështjet ligjore shpjegon hapat ligjor mbi procedurën që mund të ndjekë SPAK-u.

Sipas tij, nëse DASH ka prova, SPAK-u mund t’ia kërkojë ato me anë të një letërporosie.

Në ligjin për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, nenet 22 dhe 23 përcaktojnë saktë rregullat për bashkëpunim ndërkombëtar dhe hetimet e përbashkëta.

Sektori për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta ka si detyrë të bashkëpunojë me autoritete kompetente të shteteve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare si dhe të caktojë anëtarë në strukturat e përbashkëta hetimore.

Juristi i cili dëshiron të ruajë anonimatin shpjegon se, SPAK në zbatim të Nenit 509 të Kodit të Procedurës Penale mund të dërgojë letërporosi drejtuar autoriteteve të huaja për njoftimet dhe marrjen e provave.

Letërporositë, sipas tij,  dërgohen nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, e cila merr masa për t’i nisur ato drejt autoriteteve të shteteve të huaja (zakonisht homologët e tyre të cilat ja kalojnë organeve përkatëse të specializuara të shtetit përkatës).

Por në rastet kur çmon se mund të rrezikohet sigurimi ose interesat e tjera të rëndësishme të shtetit, Ministria urdhëron, brenda tridhjetë ditëve nga marrja e letërporosisë, që kësaj të mos i jepet rrugë dhe të mos e dërgoje atë drejt autoriteteve të huaja.

Gjithsesi në rastet e ngutshme, ligji i njeh SPAK-ut të drejtën të vendosë nisjen direkt te Letërporosisë drejt autoriteteve te huaja, duke informuar Ministrin e Drejtësisë.

Kur shteti i huaj ka vënë kushte për përdorshmërinë e akteve të kërkuara, autoriteti procedues shqiptar është i detyruar t’i respektojë, në qoftë se ato nuk vijnë në kundërshtim me ndalimet e caktuara nga ligji.

Duhet theksuar se SPAK-u ka një departament të tërë të dedikuar vetëm për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të parashikuar me ligj.

Pikërisht është Sektori për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta në SPAK, i cili është përgjegjës për koordinimin e punës së saj me autoritetet e shteteve të tjera. Sektori shërben si ndërlidhës me organet e huaja në shërbim të ecurisë së hetimeve te SPAK apo hetimeve të përbashkëta.

Por cilat janë detyrat e këtij sektori brenda SPAK-ut?

Sektori ka për detyrë të bashkëpunojë me autoritete kompetente të shteteve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare në fuqi ku Shqipërie është palë.

Ky sektor përcakton anëtarë në strukturat e përbashkëta hetimore, të krijuara në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare ose në bazë të një marrëveshje për një rast konkret, me qëllim hetimin, ndjekjen penale apo përfaqësimin në gjyq të veprave penale të cilat janë pjesë e kompetencave hetimore të SPAK (si krimi i organizuar apo korrupsioni i nivele te larta), në një ose më shumë shtete të tjera.

Gjithashtu sektori mbikëqyr hetimet e përbashkëta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, zbatimin e legjislacionit të Brendshëm, si dhe respektimin e sovranitetit të saj.

Duke parë rolin e këtij sektori ndërlidhës brenda SPAK-ut, është e pritshme që ky sektor do të luajë rolin kryesor në lidhje me detyrën për të proceduar kërkesat ndaj shteteve të tjera për të bërë hetime të posaçme për çështjen penale apo për të marrë prova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore