Lajme

Cramon: Qeverisë së Kosovës i mungon vullneti politik për të bërë progres në rrugën e integrimeve evropiane


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Cramon, në një intervistë për agjencinë bullgare të lajmeve të hënën, nëpërmjet toneve qortuese, vlerësoi se Qeverisë së Kosovës i mungon vullneti politik për të bërë progres në rrugën drejt integrimeve evropiane, derisa komentoi disa procese nëpër të cilat është duke kaluar vendi tash e sa kohë.

Cramon theksoi se për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE), vendin e vogël ballkanik duhet ta njohin 27 shtetet anëtare të bllokut, duke veçuar faktin se pesë prej tyre refuzojn ta njohin pavarësinë e Kosovës aktualisht – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro – duke mos harruar përmbushjen e obligimeve në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.

“Të gjithë pajtohen se ka nevojë për përfundim të suksesshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë. Do të ishte shumë më e lehtë për të gjithë nëse Kosova do të thoshte se i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe i plotëson të gjitha kriteret, atëherë BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë do të ushtrojnë presion të madh ndaj Serbisë”.

Ajo komentoi edhe rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb brenda territorit kosovar. Cramon u shpreh e pakënaqur me mënyrën se si ekzekekutivi kosovar tentoi ta zbatonte vendimin.

“Kosova si shtet sovran ka të drejtë të vendosë se cilën valutë do të përdorë, por mënyra se si u përpoq ta zbatonte vendimin është problematike. Ata nuk informuan personat që do të prekeshin; ata nuk dhanë informacione në serbisht për vendimin dhe nuk bënë konsultime. E gjithë kjo ishte kundër interesave të njerëzve të zakonshëm”, argumentoi eurodeputetja.

Derisa vendet nga Ballkani Perëndimor anëtarësimin në BE e përjetojnë sikur njëfarë kthimi në kontinentin evropian, shumë nga shtetet perëndimore anëtare kanë një qëndrim skeptik, posaçërisht ndaj një rajoni të rrethuar nga armiqësitë etnike. Arsyet për këtë distancë janë të ndryshme, por kryesor është fakti se nuk duan të pranojnë në bllok shtete problematike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore