Lajme

COVID-19: Omicron mund ta çojë Izraelin drejt imunitetit të tufës


Izraeli mund të arrijë imunitetin e tufës mes infeksioneve në rritje të Omicron. Kjo është bërë e ditur nga një zyrtar i lartë shëndetësor, pasi vendi miratoi përdorimin e pilulës anti-virale të ‘’Merck & Co’’ (MRK.N) për pacientët me COVID-19.

Varianti shumë i transmetueshëm Omicron ka shkaktuar një valë rastesh të coronavirus-it në të gjithë globin.

Sipas të dhënave të agjencisë së lajmeve ‘’Reuters’’ infeksionet në mbarë botën kanë arritur një rekord të lartë, me një mesatare prej pak më shumë se 1 milion raste të zbuluara çdo ditë midis 24 dhe 30 dhjetor.

Vdekjet, megjithatë, nuk janë rritur duke sjellë shpresë se varianti i ri është më pak vdekjeprurës.

Rastet ditore në Izrael pritet të arrijnë nivele rekord në tre javët e ardhshme.

Kreu i task-forcës së coronavirus-it të Ministrisë së Shëndetësisë në Izrael, Salman Zarka, tha se imuniteti i tufës nuk ishte aspak i garantuar, sepse përvoja gjatë dy viteve të fundit tregoi se disa pacientë me COVID-19 që u shëruan u riinfektuan më vonë.

Imuniteti i tufës është pika në të cilën një popullatë mbrohet nga një virus, qoftë nëpërmjet vaksinimit ose nga njerëz që kanë zhvilluar antitrupa duke kontraktuar sëmundjen.

Rreth 60% e popullsisë 9.4 milionëshe e Izraelit janë plotësisht të vaksinuar – pothuajse të gjithë me vaksinën ‘’Pfizer’’ (PFE.N) / ‘’BioNTech’S’’ (22UAy.DE) – sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që do të thotë se disa kanë marrë edhe dozën e tretë ndërsa pjesa tjetër ka kryer dhe dozën e dytë.

Por qindra mijëra nga ata që kualifikohen për një vaksinë të tretë deri më tani nuk e kanë marrë atë.

Duke parë nga afër sëmundshmërinë e rëndë, personeli shëndetësor po shqyrton mundësinë e lejimit të një doze të katërt vaksine për njerëzit mbi 60 vjeç, pas miratimit të saj javën e kaluar për personat e komprometuar nga imuniteti dhe të moshuarit në shtëpitë e kujdesit.

Në një deklaratë, Ministria e Shëndetësisë tha se kishte autorizuar përdorimin e pilulës molnupiravir për pacientët me COVID-19 mbi 18 vjeç dhe kishte nënshkruar një kontratë me ‘’Merck & Co’’ për furnizimin e saj, me dërgesën e parë që do të pritet së shpejti.

Molnupiravir u autorizua nga Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar për disa pacientë të rritur me rrezik të lartë dhe është treguar se redukton shtrimet në spital dhe vdekjet me rreth 30% në një provë klinike. Në nëntor, Britania u bë vendi i parë në botë që miratoi molnupiravir.

Izraeli tha muajin e kaluar se kishte porositur 100 mijë njësi të pilulës antivirale ‘’Paxlovid’’ të Pfizer për njerëzit e moshës 12 vjeç e lart në rrezik të sëmundjeve të rënda.

Rreth 1.3 milionë raste të coronavirus-it janë dokumentuar në Izrael që nga fillimi i pandemisë. Por midis dy deri në katër milionë njerëz mund të infektohen deri në fund të janarit kur vala Omicron mund të ulet, sipas Eran Segal, shkencëtar i të dhënave në Institutin e Shkencës ‘’Ëeizmann’’ dhe këshilltar i qeverisë.

Gjatë dhjetë ditëve të fundit, infeksionet ditore janë katërfishuar. Rastet e rënda janë rritur gjithashtu, por me një normë shumë më të ulët, duke u rritur nga rreth 80 në rreth 100.

Në Gjermani, kreu i shoqatës së mjekëve të lartë të spitaleve të vendit tha se varianti Omicron mund të lehtësojë presionin mbi sistemin e tij shëndetësor nëse rezulton se prodhon sëmundje më të lehta, edhe pse infeksionet janë në rritje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore