Bota

Covid-19/OBSH kёrkon 80% tё popullsisё tё vaksinuar pёr tё luftuar përhapjen


Një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë vlerësoi se mbulimi i vaksinimit anti- Covid-19 prej të paktën 80% tё popullsisё do tё jetё i nevojshëm për të ulur mundësinë  e gjenerimit tё shpёrthimeve dhe rasteve të reja.

Michael Ryan, shefi i urgjencave të OBSH-së, tha se “nivelet e larta të vaksinimit janë rruga për të dalë nga kjo pandemi”.

Shumë vende të pasura kanë vijuar me vaksinimin e adoleshentëve dhe fëmijëve- të cilët kanë rrezik më të ulët të rasteve më të rrezikshme të Covid-19 – edhe pse të njëjtat vende përballen me presion për të ndarë vaksinat me vendet më të varfra që nuk i kanë ato.

Britania, e cila ka ulur jashtëzakonisht rastet e reja falë një fushate agresive vaksinimi, ka parë një rritje të fundit në rastet që i atribuohen kryesisht variantit delta. Variant që fillimisht u shfaq në Indi – një ish koloni britanike.

Maria Van Kerkhove, udhëheqësja teknike e OBSH-së sё Covid-19, vuri në dukje se varianti delta po përhapet në më shumë se 60 vende. Sipas Kerkhove, ai është më i transmetueshëm se varianti alfa, i cili u shfaq për herë të parë në Britani.

Ajo përmendi “trendet shqetësuese të rritjes së transmetueshmërisë, rritjes së përzierjes sociale, relaksimit të shëndetit publik dhe masave sociale dhe shpërndarjes së pabarabartë të vaksinave në të gjithë botën”.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ndërkohë, u bëri thirrje udhëheqësve të G7-s për të rritur aksesin e dhёnies sё dozave në vendet në zhvillim.

Me udhëheqësit e G7 të vendosur për t’u takuar në Angli më vonë këtë javë, Tedros tha se ata mund të ndihmojnë në përmbushjen e synimit të tij që të paktën 10 përqind e popullsisë në çdo vend të vaksinohen deri në fund të shtatorit – dhe 30 përqind në fund të vitit.

“Për të arritur këto objektiva, na duhen edhe 250 milionё doza shtesë deri në shtator dhe na duhen qindra miliona doza vetëm në qershor dhe korrik”, tha Adhanom.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore