Sport

Conte: Nuk e besoja se Eriksen do të kthehet kaq shpejt


Trajneri aktual i Tottenham, Antonio Conte, ka folur rreth rikthimit të Eriksen në futbollin e luajtur.

Gjatë EURO 2020, futbollisti pësoi një arrest kardiak në ndeshjen përballë Finlandës, duke u detyruar që të lë fushën dhe të mos kthehet për një kohë të gjatë.

Kur ai ishte i shtrirë në tokë, e gjithë bota e futbollit por jo vetëm u lut për shëndetin e tij, dhe fatmirësisht ai e kaloi pa ndonjë dëm makthin e pësuar në Danimarkë.

Shtatë muaj më vonë, për habinë e të gjithëve, Eriksen është kthyer për t’u aktivizuar me Brentford në Premier League.

I habitur u shpreh edhe trajneri i Tottenham dhe ish-trajneri i Eriksen te Inter, Antonio Conte.

“Nuk e besoj që ai do të kthehet kaq shpejt”, u shpreh Conte.

“Jam shumë i surprizuar rreth kësaj situate”, vazhdoi italiani, “kam menduar që ai ka nevojë për më shumë kohë për t’u rikthyer, për të luajtur në Angli përsëri”.

Eriksen kaloi një periudhë të gjatë te Tottenham, duke u shndërruar në një ndër futbollistët më të mirë në histori të klubit.

Më pas, ai kaloi një periudhë te Inter, ku trajner i tij ishte Antonio Conte.

E Conte, tha që mundësia që ai të kthehet ekziston.

“Për Tottenham-in, ai është pjesë e rëndësishme e historisë dhe rikthimi do të ishte mundësi shumë e mirë”, e mbylli Conte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore