Lajme

Clinton kujton vizitën e 99-së në Kosovë: E mbështesë progresin që është arritur


Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, në fjalimin e saj në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka kujtuar vizitën e saj në kampet e refugjatëve në Maqedoni në 1999, gjatë luftës në Kosovë.

Ajo në fjalimin e saj ka bërë thirrje për mbështetjen e vizionit të grave për ndërtimin e një të ardhme të ndritshme duke thënë se “është e gatshme të bashkohet në këtë kauzë”.

“Më kujtohet mirë vizita që kam bërë në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Pas kësaj ne bëmë thirrje në NATO që të ndalë këtë spastrim etnik. Si sekretare e Shtetit unë kam përcjell e mbështet progresin që është arritur”.

Ndërsa, ka thënë se është mirënjohëse për të gjitha gratë në këtë forum që janë udhëheqëse.

“Forumet si kjo janë të rëndësishme. Gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës dhe pabarazisë, por janë agjente të paqes. Jam e lumtur që do të punoni me DASH-in për themelimin e qendrës rajonale të ekselencës”, ka thënë Clinton.

Kurse, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur për luftën për drejtësi për gratë ka deklaruar se s’është punë vetëm e një misioni apo forumi, por që angazhimi i tyre duhet të bëhet çdo ditë.

“Jemi bërë bashkë për dhunën që flitet për konfliktet, gratë e vajzat preken më së shumti. Ndërsa jemi bërë bashkë për t’i diskutuar këto çështje, ndjej inspirim të thellë nga gratë e Kosovës”.

Duke theksuar se gratë në Kosovë, kanë mbijetuar në kohët më të dhimbshme.

“Rrugëtimi i tyre nuk ka qenë i lehtë”, ka shtuar ajo.

Të hënën në Prishtinë, ka nisur Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ku janë duke marrë pjesë rreth 40 shtete të botës.

Më 26 shkurt, Osmani kishte njoftuar se sërish në Prishtinë do të mbahet Forumi i Grave, Paqes dhe Sigurisë.

Edicioni i parë i forumit në vitin 2022 i ishte kushtuar trashëgimisë së ish-sekretares së ShBA-së, Madeleine Albright.

Në këtë forum ishin zhvilluar 16 panele, ku ishte diskutuar për çështje të ndryshme, për arkitekturën e sigurisë, përfaqësimin e grave, përballjen me të kaluarën, drejtësinë tradicionale, dhunën ndaj grave, fuqizimin ekonomik të grave si dhe tema të tjera.

Ajo po ashtu në hapje të forumit, kishte dekoruar gratë e Ukrainës me gradën presidenciale të meritave.

Me 15.9 për qind të grave të punësuara, Kosova ka nivelin më të ulët të grave në punë, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, shkalla e punësimit të grave në Shqipëri në vitin 2019 ka qenë mbi 50 për qind, në Mal të Zi dhe Serbi afro 50 për qind, në Maqedoni të Veriut mbi 40 për qind, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë rreth 30 për qind.

Shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë është 25.8 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore