Lajme

Çitaku për deklaratën e Macronit: Të merret seriozisht nga Qeveria, askush nuk ua kërkon të veproni kundër interesit të shtetit


Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që deklarata e presidentit të Francës Emmanuel Macron të hënën i cili ka kërkuar nga palët që të sillen me përgjegjësi, në të kundërtën do të merren masa të merret me seriozitet.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se kjo deklaratë tregon se tashmë është koha për veprime.

“Deklarata e Presidentit Macron për rishikim të politikave të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse palët nuk sillen me përgjegjësi, duhet të merret seriozisht nga Qeveria. Kjo deklaratë rikonfirmon qëndrimin e BE-së, se koha e fjalëve dhe këshillave tashmë ka kaluar”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, pas vendosjes së masave nga Bashkimi Evropian deklarata e Macronit të hënën ishte këshillë për ekzekutivin.

“Pas masave konkrete të BE-së kundër Kosovës, pas zhvillimeve të fundit politike në vend, rishikimi i liberalizimit të vizave për qytetarët do tanë do të ishte tejet dëshpërues. Prandaj, përtej kritikës dhe politikës ditore, kjo është një këshillë për Qeverinë. Askush nuk po iu kërkon të veproni kundër interesit të shtetit dhe qytetarëve tanë”.

“Përkundrazi, kuptojeni drejtë paralajmërimin e Presidentit Macron, veproni me përgjegjësi dhe mos ua cenoni lirinë e lëvizjes qytetarëve të Kosovës – të merituar dhe të pritur prej shumë vitesh!”.

Franca dhe Gjermania, bashkë me Bashkimin Evropian, janë treguar të përkushtuara në raport me Kosovën dhe situatën në Veri, prandaj presidenti francez, Emmanuel Macronn, pret që edhe Kosova ta ketë të njëjtin përkushtim në zbatimin e premtimeve të dhëna, veçanërisht për uljen e tensioneve dhe krijimin e kushteve për paqe dhe stabilitet.

Ai theksoi se për autoritetet e Kosovës ka një kërkesë të qartë – “presim që vendoset paqja sa i përket situatës në Veri”.

Lideri i “ La République En Marche” që u angazhua edhe personalisht përmes kabinetit të tij dhe përfaqësuesit Emmanuel Bonne në bashkëpunim me Gjermaninë të hartojnë edhe një propozim franko-gjerman që më vonë u kthye në Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, deklaroi se edhe qeveria e tij, por edhe ajo e Olaf Scholz-it, u kanë qëndruar premtimeve në raport me Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën.

“Franca dhe Gjermania u ka qëndruar përkushtimeve të veta dhe këtë e kemi treguar me çështjen e vizave dhe çështje të tjera ekonomike që do të shpalosen në të ardhmen”, pohoi Macron, “prandaj presim nga të dyja palët që të sillen me përgjegjshmëri”.

Ai u ka tërhequr vërejtjen diplomatëve të tij se “duhet të jemi tejet vigjilent në atë pjesë, sidomos kur stabiliteti i Ballkani Perëndimor është në pyetje”.

Dhe, për të përmbyllur temën e Kosovës dhe Serbisë e dialogut mes tyre, Macron përfundoi duke thënë se “ne do të vazhdojë përkushtimin tonë”, për këtë pjesë të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore