Lajme

Cili nga kandidatët do ta zhbëjë urbicidin në Prishtinë?


Gara për të parin e kryeqytetit të Kosovës, ka filluar shumë kohë më parë. Me 17 tetor është përcaktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, ndërsa garës për Prishtinën deri më tani i kanë hy katër kandidat që tashmë synojnë të qeverisin kryeqytetin.

Kandidaturën për Prishtinën i pari që e shpalosi ishte Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Më 19 mars, AAK-ja konfirmoi se do të ketë kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës ish-deputetin e disa legjislaturave dhe njëherësh vëllain e liderit Ramush Haradinaj.

Për ta arritur qëllimin të cilin ia ka vënë vetes, Haradinaj thotë se ka afruar afër vetit ekipin, për më të mirën e kryeqytetit. Të listuara ka edhe prioritet për të cilat Haradinaj thotë se ka gjetur përkrahje të madhe nga prishtinasit.

AAK konsideron se me Haradinajn kandidat, Prishtinës do t’i kthehet respekti dhe se kjo është vazhdimësia e punëve të mira që ka bërë ky subjekt për kryeqytetin si me ligjin po ashtu edhe me Pallatin e Rinisë dhe përkrahjen me buxhet për projekte të ndryshme zhvillimore.

Daut Haradinaj, kandidat nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Partia e cila kishte udhëhequr me kryeqytetin deri para tetë vitesh, kandidat për kryeqytet ka vendosur të ketë një arkitekt. Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), u prezantua nga vet kryetari i këtij subjekti politik me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.

Lumir Abdixhiku kishte postuar një foto me arkitektin Përparim Rama duke thënë se ky i fundit do të jetë kandidati i LDK-së për të parin e kryeqytetit.

“Tani ka ardhë koha që ecjen e tij nëpër botë ta ndërpresim; e këtë bagazh të madh të tij ta kthejmë në qytetin e tij e tonin – në Prishtinë. Ky vend bëhet mirë kur më të mirët japin veten. Përparimi është i tillë”, ishte vlerësimi superlativ i Lumir Abdixhik-ut. Përparim Rama ka një bagazh të pasur profesional si arkitekt.

Përparim Rama, kandidat nga Lidhja Demokratike e Kosovës

Aleanca Kosova e Re(AKR), e Behxhet Pacollit për kryeqytetin ka vendosur ta kandidojë nënkryetarin aktual të komunës së Prishtinës, Selim Pacolli.

Behxhet Pacolli, kishte thënë se Selim Pacolli e ka dëshmuar veten si menaxher i aftë dhe vizionar që mund t’i adresojë sfidat e Prishtinës.

“Prishtina ka nevojë për menaxher dhe vizion. Selimi mund ta ofrojë këtë për ta sjellë Prishtinën në një nivel të lartë, me një model të ri, për të zgjidhur sfidat e përditshme dhe për të sjellë më shumë investime dhe më shumë zhvillim në qytet dhe një jetë më të mirë për qytetarët e qyteti”, kishte deklaruar presidenti i AKR-së Behxhet Pacolli.

Selim Pacolli, kandidat nga Aleanca Kosova e Re

Nga partia e parë opozitare në nivel nacional, për të parin e kryeqytetit është mbështetur kandidatura e sekretarit të këtij subjekti politik. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), më 30 qershor në një ambient të rrethuar me përplot simpatizant të saj ka prezantuar Uran Ismaili-n për menaxher të Prishtinës.

Ismaili është gjithashtu kryetar i Degës së PDK-së në Prishtinë. Ai garës për kryeqytet i kishte hy edhe në mandatin e kaluar, por që nuk kishte arritur të dal i pari. Ai njihet si menaxher i mirë dhe si një ish ministër i shëndetësisë që kishte bërë reforma në sistemin shëndetësor dhe në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ismaili në fjalimin gjatë prezantimit të kandidaturës së tij kishte thënë se nuk do ta përdorë komunën për t’i shërbyer çfarëdo interesi politik por interesit të kryeqytetasëve.

“Nuk do ta bëjë Prishtinën edhe një arenë tjetër për betejë politike e për parti. Për mua identiteti më i rëndësishëm është Prishtina. Kjo është ajo që ka rëndësi. Nuk do ta përdor komunën për t’i shërbyer çfarëdo interesi politik, personal apo partiak mbi interesin e qytetarëve të Prishtinës. Nuk do ta përdor komunën për t’i shërbyer ndonjë interesi biznesi kundër interesit të qytetarëve të Prishtinës”.

Uran Ismaili, kandidat nga Partia Demokratike e Kosovës

Ndërsa, partia e cila ka fituar në kryeqytet për dy mandate radhazi, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka nominuar ndonjë kandidat për Prishtinën.

Emrat e përfolur që ky subjekt politik mund t’i kandidoj janë ministri aktual i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministri aktual i Ministrisë së Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Arben Vitia dhe Liburn Aliu- të përfolurit për kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore