Lajme

Chollet e thërret Kurtin prapë në telefon, për herë të fundit para takimit në Bruksel


Albin Kurti dhe Derek Chollet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë Këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, se ai vazhdon të ketë qëndrimin e njëjtë sa i përket propozimit evropian për marrëveshje me Serbinë.

Kjo nënkupton se ai vazhdon ta konsiderojë planin franko-gjerman (evropian) si “bazë të mirë”.

Kështu thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, ku tregohet se Kurti e Chollet kanë realizuar edhe një bisedë përmes telefonit, e fundit para udhëtimit për në Bruksel ku pritet edhe marrëveshje/pajtim zyrtar mes kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Kurti ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Chollet si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel”, thuhet nga zyra për media e kryeministrit.

“Gjatë kësaj bisede, Kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve”, vazhdon komunikata.

Siç shpaloset në tekstin e shkurtër njoftues nga qeveria, Kurti i ka thënë Chollet-it se “për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare”.

Kurti edhe e ka falënderuar Chollet-in “për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e posaçërisht të Chollet personalisht”.

Albanian Post ka publikuar këtë të premte ekskluzivisht se çfarë pritet nga takimi i 27 shkurtit.

Ekskluzive: Koha ka përfunduar për Kurtin dhe Vuçiç’in – nënshkrim ose konflikt

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore