Shqipëria

Celibashi: Vlefshmëria e letërnjoftimeve të shtyhet


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi

“KQZ i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit biometrik”.

Faktin e ka bërë të ditur Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Në një postim në Twitter, Celibashi saktëson se “me qëllim ushtrimin e të drejtës së votës nga qytetarët, të cilëve u bëhet i pavlefshëm dokumenti i identifikimit biometrik përpara 25 prillit, kërkohet kjo shtyrje”.

Në Shqipëri do të aplikohet për herë të parë identifikimi elektronik i votuesve. Për këtë procedurë, është i domosdoshëm dokumenti i identifikimit.

Për shkak se shumë shtetasve u mbaronte vlefshmëria e kartave të identitetit apo pasaportave përpara zgjedhjeve, u shtrua si problem fakti se qytetarët nuk mund të votonin.

Thirrje është bërë edhe nga presidenti Ilir Meta, për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë.

Ndërkohë, thirrje të tjera ka pasur për qytetarët, që të aplikojnë për kartat e reja të identitetit. Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka qenë ndër të parat që apeloi qytetarët të rinovonin kartat.

Zyrat e aplikimeve kanë qëndruar të hapura edhe gjatë ditëve të shtuna përgjatë shkurtit.

Një vendim i Ministrisë së Brendshme mbi çështjen nuk dihet ende. Një numër i saktë i personave që janë me dokumente identifikimi të pavlefshme, gjithashtu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore