Shqipëria

Celibashi: Procesi i hapjes pa problematika të theksuara


Komisioneri Qendror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë me dije se procesi i hapjes së Qendrave të Votimit (QV) nuk ka pasur një problematikë të theksuar.

“Janë evidentuar disa problematika si ato në Shkodër”, tha ai, duke shtuar se komisionerët nuk kanë mundur dot të shkojnë në disa qendra votimi.

Celibashi njoftoi se, në Shalë, votimi po bëhet manualisht, pa pajisjen e identifikimit elektronik.

Në Shkodër nga 250 QV, po votohet në vetëm 147 të tilla.

“Nëse procesi i votimit nuk do të zhvillohet për një periudhë kohore prej 5 orësh, zgjedhjet atje janë të pavlefshme. Ligji ka dhënë një periudhë tolerance prej 5 orësh. Është për t’u vlerësuar gjesti i tyre për të shkuar në vendin e punës, edhe pse kushtet e motit janë të pafavorshme”, tha Celibashi.

Situata aktuale

Në Dibër janë 101 QV dhe tek të 101 ka filluar procesi.

“Kemi një problem në 18 QV në lidhje me energjinë elektrike në Kastriot dhe Kala të Dodës për shkak të reshjeve të dëborës. Në Durrës nga 337 QV ka filluar procesi votimit në të gjitha. Ka një problem në një QV që lidhet me pajisjen e identifikimit, por është zgjidhur”, tha Celibashi.

Gjithashtu në Durrës po kryhet procesi i identifikimit pa pajisjen PEI. Ndërsa në Vorë janë hapur të 44 QV dhe po votohet normalisht.

“Kemi problematika në dy QV në Durrës dhe Dibër. Lidhet me mënyrën sesi anëtarët e QV e administrojnë procesin atje, por janë pa ndikim në procesin e votimit. Duket se problematika lidhet më shumë me disa QV në Shkodër dhe Dibër për shkak të situatës atmosferike”, u shpreh ai.

Sa i përket Vorës, Celibashi deklaroi se të gjitha QV janë funksionale në Bashkinë e Vorës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore