Shqipëria

Çelet nisma “Republika e Rakisë” për promovimin e pijes tradicionale shqiptare


Pija tradicionale shqiptare – rakia – po promovohet jo vetëm si një pije që e identifikon vendin tonë, por që i shërben edhe turizmit.

Bashkia Tiranë, përmes një nisme, ka bërë bashkë pranë Piramidës prodhues të rakisë.

Këta të fundit ekspozuan produktet e tyre dhe diskutuan për mënyrat se si mund ta promovojnë rakinë  duke forcuar ura të bashkëpunimit.

“Njihet si pije e lirë, por realisht, rakia ka goxha vlera, qoftë historike, qoftë edhe vlera tradicionale. Shqipëri-Raki shkojnë shumë bashkë me njëra-tjetrën. Por realisht jetojmë në kohë që duhet të jetë e kontrolluar. Produkti përfundimtar të jetë i shëndetshëm për konsumatorin dhe jo i dëmshëm”, thotë Flori Uka.

Sipas Rigers Kacorrit, Shqipëria ka potenciale shumë të mirë për të prodhuar raki dhe është tamam pija që duhet të promovohet, sepse na identifikon.

“Shqiptarët kur bëjnë një dhuratë, dhurojnë një raki shqiptare, një verë shqiptare, një produkt shqiptar, një djathë shqiptar, pra, të jepet pjesa sa më e mirë e rikonsumimit të një produkti të mirë shqiptar gjithmonë”.

Sakaq, ata që e vlerësojnë më shumë rakinë janë të huajt ose shqiptarët që nuk jetojnë këtu.

Në ngjarjen e quajtur “Republika e Rakisë” priti vizitorë për të degustuar produktet e ekspozuara.

Ndërkohë u zhvilluan edhe forume, ku ekspertë të fushës diskutuan për çështje që lidhen si me prodhimin, por edhe me tregtimin e këtij produkti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore