Sport

Ceferin: Nuk kam asnjë problem me Real Madrid-in


Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka theksuar se ai nuk kishte asnjë problem me Real Madrid-in, pavarësisht rolit të vazhdueshëm të skuadrës spanjolle në përpjekjen për të krijuar një Superligë evropiane.

Komentet janë bërë nga Ceferin gjatë një interviste përpara finales së Ligës së Kampionëve që do të ndeshet nga Liverpool dhe Los Blancos më 28 maj.

“Unë nuk kam probleme me Real Madrid-in, sigurisht. Nuk kam asnjë kontakt me drejtuesit e klubit për momentin, por prania e Real Madridit në finalen e Champions League është dëshmi se sa të pastra janë garat e UEFA-s”, tha Ceferin.

“Real Madrid dhe Barcelona janë në finalet e meshkujve dhe femrave. Askush nuk ka ndërhyrë për të kundërtën”.

Duke diskutuar për konfliktin e sipërpërmendur të Superligës, Ceferin bëri me dije se debati do të zhvillohet vetëm në sallën e gjyqit.

“Do të vijë koha kur këto gjëra do të sqarohen, por sigurisht që nuk do të jenë në fushë”, vuri në dukje ai.

Shefi i UEFA-s ishte plot lëvdata për dy lojtarë të Real Madridit në veçanti përpara finales.

“Ata kanë Karim Benzema-n e mrekullueshëm, për të cilin kam thënë shumë herë se për mendimin tim është një nga lojtarët më të nënvlerësuar në historinë e futbollit”, ka thënë ai.

Ceferin gjithashtu kishte lëvdata për Liverpoolin, por ai nuk pranoi të parashikonte një fitues.

“Ata kanë lojtarë më të rinj dhe përvojë shumë të rëndësishme në finale. Nuk do të guxoja të parashikoja fituesin, si rregull jam një gjyqtar i keq. Do të jetë një finale tepër interesante”, tha ai.

Pas deklaratave të diskutueshme të Jurgen Klopp për shpërndarjen e biletave për finalen e Champions League, Ceferin ka kontaktuar me të.

“E telefonova, fola me Jurgen Klopp për këtë, sepse u zemërova me deklaratat e tij”, shpjegoi ai.

“Tani ai e kupton. Ai pranoi se nuk i dinte informacionet dhe se në një farë mënyre i vjen keq që i bëri këto deklarata”.

Presidenti i UEFA-s zbuloi edhe një moment qesharak me trajnerin e Romës, Jose Mourinho.

“Kishte shumë skeptikë për Ligën e Konferencës. Mora një mesazh nga Jose Mourinho [pas kualifikimit në finale me Romën], ai ishte absolutisht i emocionuar. Unë kurrë nuk kam marrë kaq shumë zemra, madje as nga vajzat“, zbuloi Ceferin.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore