Lajme

Carmen Diodato, e vetmja balerinë e shurdhër në një teatër baleti


Momenti më i vështirë për të ishte ai i pandemisë.

“Të gjithë duhej të mbanim maska… në atë moment ishte shumë e vështirë për mua të dëgjoja korrigjimet e koreografit, veçanërisht pasi nuk mund t’i lexoja nga buzët. Ishte e pashmangshme humbja e disa nuancave”.

Tani që i jemi rikthyer normalitetit, Carmen Diodato, me origjinë nga Cosentino, e cila e ka humbur dëgjimin, arrin të kapërcejë “mundësitë e pabarabarta” me kolegët e saj në mënyrën e zakonshme.

“Nëse më duhet të përgatis disa solo, e kaloj pasditen duke i provuar në shtëpi duke dëgjuar muzikë pa pushim derisa ta dëgjoj në mënyrë perfektë”, ka treguar ajo.

Carmen dëgjon përmes protezave të saj në një mënyrë ndryshe nga e jona, të cilën përpiqet ta shpjegojë. “Tingulli është i mbytur, mund të them si kur je nën ujë”.

Por ajo është shumë e mirë në leximin e buzëve.

“Fatmirësisht , askush nuk e përdor më fjalën shurdmemece, sepse ne nuk jemi memecë. Ne jemi në gjendje të flasim, falë ushtrimeve me logopedin”, ka treguar ajo.

Ajo filloi t’i bënte ato kur ishte dy vjeçe kur prindërit e saj vunë re se diçka nuk shkonte. Pediatri këmbënguli se ajo ishte një fëmijë “dembel”. Pastaj një ditë një objekt shumë i rëndë ra dhe shqetësoi të gjithë familjen, përveç Carmen, e cila kishte vazhduar të luante e qetë.

“Dashurinë time për kërcimin ia detyroj logopedes.  Ishte ajo që i sugjeroi nënës sime që të regjistrohesha në një shkollë kërcimi, sepse muzika mund të më ndihmonte: ishte Akademia Vezuviane e Kërcimit”.

“I ndjeva dridhjet nëpër dysheme. Në atë kohë fillova të mbaj protezat e para të jashtme, falë të cilave izolimi im mori fund. Sot pa proteza nuk dëgjoj asgjë, as zëra dhe as zhurma. Kur i vendos, ndihem sipas mënyrës sime. Të njëjtën muzikë dëgjoj në mënyrën time. Prandaj ushtrohem shumë në shtëpi, për të ecur me të tjerët”.

Carmen ka kërcyer që në moshën katër vjeçare. Në moshën 12-vjeçare ajo bëri audicionin për të hyrë në shkollën e vallëzimit San Carlo në Napoli, ku hyri dhe qëndroi vetëm një vit.

“Vitin tjetër, regjisori mendoi se nuk kisha të njëjtin potencial si të tjerët, për shkak të dëgjimit tim. Ai u kishte propozuar prindërve të mi që të bëja një implant koklear që kërkon një ndërhyrje delikate kirurgjikale. Me prindërit e mi u konsultuam me një specialist në Piacenza, i cili na këshilloi të mos e bënim”.

Por ajo nuk u dorëzua. U regjistrua në shkollën private Percorsi di danza në Somma Vesuviana, ku u diplomova shkëlqyeshëm në vitin 2007.

Më pas pati shumë master-klasa, duke përfshirë në Teatro dell’Opera në Romë . Dhe së fundi, pjesëmarrja në inskenime të rëndësishme në Arena di Verona për opera si La Traviata dhe Aida dhe për disa vite në Teatro Massimo në Palermo, ku është pjesë e korpusit të baletit .

Carmen është shumë e qetë dhe buzëqesh shumë.

“Pasioni im ka qenë gjithmonë kërcimi dhe kërcimi ka mbetur. Në fund të fundit, ëndrra ime u bë realitet: doja të bashkohesha me korpusin e baletit në një teatër dhe më në fund ia dola”.

Dhe pasioni ka bërë që ajo të jetë e vetmja balerinë profesioniste në botë në korpusin e baletit të një teatri.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore