Lajme

BSPK: Dialogu social e vetmja mënyrë për të dalë nga greva


Foto: Albanian Post.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se dialogu social është e vetmja mënyrë për të dalë nga greva në sektorin publik, e cila ka nisur më 25 gusht.

“Prandaj duam edhe njëherë t’ia përcjellim opinionit të gjerë se e vetmja zgjidhje e duhur dhe e qëndrueshme për dalje nga Greva e Përgjithshme është dialogu social ndërmjet Partnerëve Socialë, Qeverisë dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe jo format e tjera të komunikimit”.

Në komunikatë thuhet se janë vetëm takimet që mund të dërgojnë në gjetjen e rrugës së duhur.

“Takimet konsultative të Kryetarit të BSPK-së me të gjithë ata që e duan zgjidhjen nëpërmjet dialogut social, si edhe takimi konsultativ me presidenten është vetëm gjetja e rrugës së duhur për hapjen e dialogut të duhur social ndërmjet partnerëve socialë dhe jo diçka tjetër siç jepet a siç do të dëshironin të ishte nga ata që përhapin informacione jo të sakta”.

Ndryshe, 25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove.

Më 5 shtator, Ministria e Financave dhe Transfereve e Kosovës tha se ka ekzekutuar pagat për muajin gusht për punëtorët që janë në grevë, duke shtuar se të njëjtëve duhet t’iu pezullohen kontratat e punës.

Punonjësit e arsimit, administratës lokale dhe qendrore janë në grevë që nga 25 gushti me kërkesë për rritje pagash.

Njëra nga protestat e organizuar nga BSPK-ja në Prishtinë.

“Për organizatat buxhetore që nuk kanë bërë përditësimin e listave dhe ku ka indikacione që ka pasur greva, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të bëjë konstatim të shkeljes së dispozitave ligjore të menaxhimit të financave publike, lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe Ligjit për greva”, thuhet në njoftim.

Kjo ministri kishte njoftuar në fund të gushtit se pagat ishin ekzekutuar pjesërisht, vetëm për ato institucione që kishin dërguar listën e punëtorëve që nuk ishin në grevë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore