Lajme

Brnabiç: Nuk pres asgjë nga takimi në Bruksel, Kurti po e shkel Marrëveshjen e Brukselit


Ana Brnabiç

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, disa orë para takimit të nivelit të lartë në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, është shprehur se “nuk pres asgjë nga takimi i Brukselit”, pasi që siç thotë ajo Kosova “po i shmanget marrëveshjes së Brukselit”, e nënshkruar 10 vite më parë, dhe pretendoi se “qëllimisht po e shkel”.

“Nuk shoh se si do të ndryshojë pas më shumë se 10 vitesh nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit si marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve, e që BE-ja ishte garantuese e saj. Nuk shoh ndonjë gatishmëri në Prishtinë, tashmë po shpërblehet për moszbatimin e marrëveshjes së Brukselit”, tha Brnabiç para gazetarëve.

Ndërkaq, ajo shtoi se nuk është vetëm problemi “që nuk e kanë zbatuar Marrëveshjen e Brukselit”, por sipas saj “gjatë viteve 2022 dhe 2023 kanë shkelur drejtpërdrejtë letrën e kësaj marrëveshje, duke ia mohuar të drejtën serbëve të Kosovës për të votuar në zgjedhjet e Serbisë dhe në referendumin serb”, duke iu referuar vendimeve të qeverisë së Kosovës për të mos lejuar që shteti serb të organizojë procese zgjedhore në territorin e Kosovës.

Ndryshe, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, të martën në Bruksel në takimin e parë pas dakordësimit për Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit do të diskutojnë për të gjetur pajtim në atë se çfarë nënkuptojnë palët me Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe dhe çfarë me Vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.

Përbëjnë këto të njëjtën gjë, apo njëri është proces i shkëputur nga tjetri, përkundër se të dyja derivojnë nga dialogu në Bruksel? Si do të rregullohet njëra problematikë, si tjetra, apo të dyja duhet të kenë një zgjidhje të përbashkët?

Këto janë disa nga çështjet që do t’i diskutojnë kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë në takimin e parë të nivelit të lartë në Bruksel që nga ai i 18 marsit në Ohër, kur u arrit njëfarë akordi për aneksin implementues të Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit të Marrëdhënieve të pajtuar me 27 shkurt.

“Kosova dhe Serbia fillojnë procesin e negocimit mbi atë se çfarë është Asociacioni dhe Vetëmenaxhimi dhe çfarë nuk është Asociacioni dhe Vetë menaxhimi. Nesër fillon dhe mbaron diku në shtator, tetor”, i ka thënë Albanian Post-it një burim i afërt me procesin dialogus në Bruksel.

Përtej këtyre, të martën gjithashtu Kurti njoftohet me statutin e Asociacionit të hartuar nga grupi punës i përbërë nga serbët të Kosovës dhe i udhëhequr nga deputetja e partisë së Vuçiç-it, Danijela Vujiçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore