Lajme

Brnabiç: “Do ta mbrojmë Kosovën si pjesë e Serbisë”


Ana Brnabiç

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, në një paraqitje për median e afërt me pushtetin atje “Tv Prva”, në një kohë fushate në Serbi, ka propaganduar se politika e Partisë Progresive Serbe (SNS) – ku ajo bënë pjesë – “është që të vazhdojë me ruajtjen e Kosovës si pjesë e Serbisë”.

Brnabiç ka theksuar se një gjë e tillë “është pjesë e programit” të Partisë Progresive Serbe, e cila, sipas saj, “ka qëllime të përcaktuara qartë për të ardhmen e Serbisë”.

“Do ta mbrojmë Kosovën si pjesë e Serbisë, do të vazhdojmë rrugën evropiane të Serbisë”, ka thënë ndër të tjera Brnabiç, transmeton media serbe me seli në Kosovë “KosovoOnline”.

Shefja e ekzekutivit serb ka pretenduar se 28 shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, derisa për këtë pretendim të saj, meritat më të mëdha ia ka dhënë shefit të saj, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në Serbi do të mbahen zgjedhjet parlamentare më 17 dhjetor, prandaj edhe partia që ka pushtetin për 10 vite me radhë atje (SNS), është duke tentuar që ta sjellë në qendër të vëmendjes çështjen e Kosovës.

Përmes kësaj propagande, SNS po tenton që ta maksimizojë votën e tyre në radhët e grupeve nacionaliste serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore