Lajme

Britania sanksionon Bjellorusinë për “rol në agresionin ndaj Ukrainës”


Britania e Madhe ka marrë në mënyrë konkrete masa sanksionuese ndaj Bjellorusisë, nën akuzën e përfshirjes direkte në agresionin rus ndaj Ukrainës, ku të përfshirë do të jenë katër zyrtarë të mbrojtjes dhe dy kompani të mëdha ushtarake.

Lajmin e ka bërë të ditur Sekretarja e Jashtme, Liz Truss, e cila përkufizoi regjimin e Alexander Lukashenkos si “pjesëmarrës në mësymjen ruse drejt Ukrainës”.

Lukashenko i ka mirëpritur forcat ruse në territorin e shtetit të tij, duke i lënë kështu një shteg të hapur drejt veriut të Ukrainës, më konkretisht drejt kryeqytetit, Kievit.

Ndër të sanksionuarit, janë zëvendësministri i Mbrojtjes, Victor Gulevich, i cili është përgjegjës direkt për aksionet e forcave bjelloruse.

Andrei Burdyko, shefi i logjistikës, është po ashtu i sanksionuar. Njëjtë edhe Sergei Simonenko dhe Andrey Zhuk. I pari komandanti i armatimeve dhe i dyti zëvendësministër i brendshëm.

Kompanitë ushtarake të ndëshkuara sakaq, janë JSC Integral dhe JSC 558 Aircraft Repair Plant.

Të dyja asistojnë Ushtrinë bjelloruse dhe kanë lidhje direkte me Rusinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore