Shqipëria

“Bregdeti ynë” 2


Operacioni “Bregdeti Ynë” do të niste në Velipojë, me një shtrirje deri në Ksamil.

Në një prononcim për Albanian Post, zëvendës-kryeinspektori i IKMT-së, Guri Seferi, shpjegoi se aksioni i nisur do të përfundonte më 30 qershor.

Por, kjo nuk do të ndalojë me prishjen e ndërtimeve pa leje, tha Seferi.

Ai potencoi se “pas 30 qershorit, aksionet për evidentimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje do të vazhdojnë edhe në zonat e tjera të territorit të Shqipërisë”.

Në fillim të muajit korrik, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, renditi sukseset e fazës së parë të operacionit “Bregdeti Ynë”.

“Mbi 130 ndërtime pa leje të shembura, si dhe rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte janë vendosur nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil”.

“Po ashtu”, tha ai “kemi detyrimin të mbrojmë këtë pasuri tonën të përbashkët dhe të çojmë para drejtësisë shkelësit e ligjit. Gjej shesh të lirë, zapto e ndërto pa leje. Të mos e mendojë më askush”.

Ministri Çuçi bëri me dije se pas bregdetit, IKMT dhe Policia e Shtetit do të vijojnë punën për pastrimin e territorit nga ndërtimet pa leje “edhe në zona të tjera të vendit”.

Pas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal, ndëshkimi për ata që ndërtojnë pa leje është ashpërsuar.

Për herë të parë, ligji parashikon penalitete, jo thjesht për subjektin, por për të gjithë zinxhirin ndërtimor.

Për sa i përket kontrollit dhe mbrojtjes së territorit, Shqipëria pritet të hyjë në një fazë të re përmes përdorimit të dronëve dhe pajisjeve të tjera të teknologjisë së lartë.

“Aksioni do të shtrihet në fshatrat turistikë, në akset nacionale, në zonat e mbrojtura, si dhe ndërtimet buzë liqeneve dhe lumenjve”, tha për AP-në numri një i IKMT-së tashmë në Shkodër, Guri Seferi.

Por, pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Velipojë, ku mbetën të vdekur katër persona dhe të plagosur dy të tjerë, pas sherrit për shezlongë-t, ndryshoi dhe kahu i këtij aksioni.

“Bregdeti Ynë” u përqendrua në “çlirimin” e plazheve nga shezlong-ët dhe lirimi i hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme.

“Unë u bëj thirrje të gjithë subjekteve që nuk janë në rregull me dokumentacionet e tyre, që të largohen nga sipërfaqet që nuk u takojnë me ligj dhe me rregull”.

Ky ishte reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, fill pas ngjarjes.

“Çlirimi i plazheve”

Vetëm një ditë pas deklaratës së Ramës, vëmendja e policisë do të zhvendosej te lirimi i hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme me shezlong-ë dhe çadra.

Deri në këto momente janë kontrolluar subjekte në vijën bregdetare të Shëngjinit, Kavajës, Vlorës, Sarandës dhe Divjakës.

Aktualisht strukturat e Policisë së Shtetit janë duke zhvilluar fazën e dytë të operacionit “Bregdeti Ynë”, për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme me shezlong-ë e çadra.

Deri tani janë proceduar penalisht për veprën penale “Pushtimi i tokës” 45 administratorë, janë hequr rreth 5 mijë e 955 mijë shezlong-ë e 2 mijë e 445 çadra të vendosura në mënyrë të kundërligjshme.

Nga fillimi i kësaj detyre, deri më datë 30 qershor 2021, nga strukturat policore janë evidentuar 324 vepra penale në fushën mjedisore, në të cilat janë të implikuar 354 autorë, nga të cilët 40 të arrestuar në flagrancë.

Tanimë, operacioni “Bregdeti ynë” është në fazën e tij të dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore