Lajme

Brazili është kthyer në skenën botërore, thotë Lula në samitin e klimës


“Brazili është kthyer në skenën botërore”.

Kështu deklaroi Presidenti i sapozgjedhur i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva para turmave në samitin e klimës COP27 në Egjipt.

“Amazona ka kuptim të madh për botën. Ne duhet të vërtetojmë se një pemë në këmbë ka më shumë vlerë se një pemë e rënë”, tha ai.

Lula bëri thirrje që COP tjetër të mbahej në Amazonë. Kombet po takohen në Sharm el-Sheikh për të diskutuar trajtimin e ndryshimeve klimatike.

Vetëm dy javë pas fitores së tij të ngushtë në zgjedhje, Lula po takohet me liderë nga SHBA, Kina dhe BE në konferencën për klimën.

Nën Presidentin Jair Bolsonaro, i cili do t’ia dorëzojë pushtetin Lula-s në janar, shpyllëzimi i Amazona-s arriti në nivele rekord.

Puyr Tembé, një udhëheqës indigjen nga shteti shumë i shpyllëzuar i Pará, i tha medias britanike “BBC News” se Bolsonaro shkatërroi plotësisht ligjet që mbronin Amazona-n dhe sulmoi mbrojtësit e mjedisit.

Në të kundërt, presidenti i ardhshëm ka thënë se do të përpiqet t’i japë fund shpyllëzimit.

Të martën, i dërguari i SHBA-ve për klimën, John Kerry, tha se ishte i bindur se Lula do të sillte një kthesë të plotë në qasjen e Brzail ndaj mjedisit.

John Kerry, i dërguari i posaçëm presidencial i Shteteve të Bashkuara për Klimën

Ish-ministrja e mjedisit në Brazil Isabella Teixeira tha se “bota” tani “po përqafon Brazilin në COP27”.

Ndërsa Lula ka pritur një mirëseardhje të ngrohtë në COP27, ai përballet me një vend të ndarë, me opozitë të konsiderueshme në Kongresin brazilian që potencialisht e bën të vështirë përmbushjen e premtimeve të tij.

Për të bërë përparim në agjendën e tij, Teixeira tha se Lula duhet të bindë njerëzit dhe anëtarët e Kongresit që të pajtohen, jo të mos pajtohen me njëri-tjetrin.

“Brazili sot nuk pajtohet. Por ne po rindërtojmë demokracinë tonë dhe nuk duhet të heqim dorë nga përgjegjësitë tona për ndryshimin e klimës”, tha ajo.

Për ta bërë këtë, Lula duhet të ndryshojë trashëgiminë e Bolsonaro duke rindërtuar agjencitë e mbrojtjes së mjedisit, duke shkrirë Fondin Amazon që promovon ruajtjen dhe duke luftuar kriminelët në Amazonë, sipas Marcio Astrini, sekretar ekzekutiv i rrjetit të Observatorit Klimatik të Brazilit.

Të martën, aktivistët e rinj brazilianë në COP27 takuan Lula-n.

Në prapaskenë, negociatat midis kombeve po vazhdojnë në COP27 me një marrëveshje përfundimtare që pritet të premten ose të shtunën.

Megjithatë ka ende ndarje të gjera midis vendeve për çështjet kryesore.

Çështja se kush do të paguajë faturën për dëmtimin e pakthyeshëm të klimës mbetet shumë e debatuar, pasi vendet në zhvillim duan që financat të caktohen urgjentisht për të mbuluar humbjet e tyre.

Vendet e zhvilluara po i rezistojnë çdo çështjeje kompensimi për vendet që historikisht shkaktuan shumicën e emetimeve.

Ekziston gjithashtu shqetësimi se synimi vendimtar për të kufizuar rritjen e temperaturës në 1.5C – që shkencëtarët thonë se është thelbësore për të shmangur efektet më të këqija të ndryshimit të klimës – është në rrezik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore