Shqipëria

Borxhi publik i Shqipërisë do të bjerë nën 60% të PBB-së deri në 2030


Ministria e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë parashikon që borxhi publik të bjerë nën 60 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të vendit deri në vitin 2030.

Drejtuesja e institucionit, Delina Ibrahimaj deklaroi se qeveria është e përkushtuar të menaxhojë me kujdes dhe të reduktojë borxhin publik.

Në fund të tremujorit të parë, borxhi i jashtëm bruto i Shqipërisë ishte ekuivalent me 63.2 për qind të PBB-së, duke rënë me 1.3 pikë përqindje nga tremujori i mëparshëm, tha më herët Ministria.

Më herët në qershor, Shqipëria emetoi një eurobond 5-vjeçar me vlerë 600 milionë euro (657 milionë dollarë), me një kupon 5.9 për qind që duhet të paguhet çdo vit.

Ibrahimaj theksoi më herët se në tremujorin e parë të vitit borxhi publik është ulur.

“Në tremujorin e parë, borxhi ndaj PBB ishte 63.27% të PBB nga 64.58% që ishte në fund të vitit 2022. Sipas strukturës, pesha më e madhe është në borxhin e jashtëm. Këtu dua theksoj dhe peshën e kursit të këmbimit. Borxhi është I identifikuar dhe marrë në euro, kursi euros ka sjell dhe një rënie të borxhit publik”, u shpreh Ibrahimaj.

Kjo e fundit theksoi se ka pasur një rritje të punësimit në sektorin e ndërtimit dhe rënie në sektorin e shërbimit.

‘Ne kemi pasur një rritje të tatimit mbi fitimin me 22.5%. Tatimi mbi të ardhurat është rritur me 9.5%. kontributet nga sigurimet shoqërore janë rritur me 14.8%. Sektori i prodhimit ka pasur një rritje prej 31%. Kemi pasur rritje të punësimit në sektorin e ndërtimit, prodhimit, ndërsa ulje kemi pasur në sektorin e shërbimit. Kemi pasur rritje në sektorin e tregtisë”.

Sektori i shërbimeve, sipas ministres vijon “të zërë peshën më të madhe në punësim”.

“Sa i përket financimit të konsumit dhe pagave, presim që pagat të vijojnë të rriten në fund të 2022 paga mesatare shënoi 66 mijë lekë. Presim që në 6 mujorin e dytë të ketë një rritje të ndjeshme. Shifrat e borxhit kanë vijuar të jetë pozitive”.

Sa u takon importeve, ministra tha se për herë të parë pas një periudhe të gjatë, importet janë rritur më shumë në vëllim se sa në vlerë.

“Importet për herë të parë pas një periudhe të gjatë janë rritur më shumë në vëllim se sa në vlerë. Çmimet e importeve kanë filluar të ngadalësohen. Importet në vëllim janë rritur me 6.9% ndërsa në vlerë me 0.4%. Eksportet janë rritur qoftë në vlerë edhe në vëllim”.

Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së mat borxhin bruto të qeverisë së përgjithshme si përqindje e PBB-së.

Ai është një tregues kyç për qëndrueshmërinë e financave të qeverisë.

Borxhi llogaritet si shuma e kategorive të detyrimeve të mëposhtme (sipas rastit): valuta dhe depozitat; letrat me vlerë të borxhit, kreditë; sigurimet, pensionet dhe skemat e standardizuara të garancisë dhe llogari të tjera të pagueshme.

Ndryshimet në borxhin e qeverisë me kalimin e kohës reflektojnë kryesisht ndikimin e deficiteve të kaluara të qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore