Kosova

‘Borrell rekomandon heqjen e masave ndaj Kosovës’


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në raportin e përpiluar për Kosovën, rekomandoi shtetet anëtare të qëndrojnë për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, raportoi të mërkurën “Radio Evropa e Lirë” nga burimet diplomatike në bllok, që kanë pasur qasje në raportin e shefit të diplomacisë së BE-së.

“Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit të BE-së që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionale”, theksoi një burim për REL-in të mërkurën.

Në rekomandimin e shefit të diplomacisë evropiane, largimi i masave kufizuese cilësohet “sinjal politik” që pritet të kontribuojë në “kontekstin e balancuar” në të cilin procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së të avancojë.

Borrelli dorëzoi të martën e 18 qershorit raportin për masat ndaj Kosovës para shteteve anëtare, përkatësisht rreth hapave të Kosovës në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja i vendosi në qershor të vitit të kaluar për shkak të përshkallëzimit të situatës në veriun e vendit.

Raporti për heqjen e masave pritet të diskutohet sot në takimin e Komitetit për Politikë dhe Siguri të BE-së në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare. Autoritetet në Kosovë janë në pritje të një raporti pozitiv rreth masave. Megjithatë, rekomandimi i Borrellit s’do të thotë që masat hiqen menjëherë.

Në bazë burimeve diplomatike, heqja e masave kufizuese ndaj Kosovës mund të jetë në rend dite edhe në takimin e Këshillit të BE-së për Punë të Jashtme, që zhvillohet në nivel ministrash më 24 qershor. Pastaj, shërbimi i jashtëm i BE-së (EEAS) mund ta njoftojë zyrtarisht Kosovën për heqjen e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore