Lajme

Borrell: Paqja në rajon arrihet vetëm me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë


Josep Borrell

“Stabiliteti i qëndrueshëm dhe paqja në rajon mund të arrihet vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Josep Borrell.

Këto komente, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri i ka bërë pas takimeve të ndara që ka pasur me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Mynih të Gjermanisë, në margjinat e Konferencës së Sigurisë.

“Rruga drejt kësaj çon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Borrell në platformën X (ish-Twitter), derisa ka ndarë pamje nga takimet që ka pasur me Kurtin dhe Vuçiç-in.

Ndëra, kryeministri Kurti, në takimin e së premtes me Borrell-in dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel 27 shkurt, Ohër, 18 mars) dhe heqjen e masave ndaj Kosovës.

“Kryeministri kërkoi heqjen e masave kufizuese të padrejta të vendosura nga Bashkimi Evropian”.

Përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit është thënë se sipas Kurtit nënshkrimi marrëveshjeve është bërë i nevojshëm për shkak të shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia.

“Në dritën e shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia, sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, letrave dhe deklaratave të vazhdueshme publike për mosdetyrimin ligjor të marrëveshjes për Serbinë dhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër, nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm si garancë e respektimit dhe zbatimit të plotë të tyre, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Nga ana tjetër, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, Vuçiç ka njoftuar se tema kryesore e takimit mes tij dhe ndërmjetësuesve të procesit të dialogut ka qenë pikërisht Kosova dhe, sipas tij, “përpjeka e Kurtit për të kryer në heshtje spastrim etnik të serbëve”.

“Kam frikë se BE-ja nuk do të përdorë mekanizma realë për ta detyruar Kurtin të heqë dorë nga provokimet dhe sulmet e përditshme ndaj serbëve”, ka shkruar ai.

Vuçiç i ankohet Borrell-it për Kurtin: Kam frikë se BE-ja s’do të përdorë mekanizma realë për të ndalë provokimet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore