Lajme

Borell e përsërit: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të themelohet


Josep Borell

“Bashkimi Evropian pret formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Kështu ka thënë shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, i cili ka ripërsëritur thirrjen për Kosovën që të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Borell komentet i ka bërë në formë të një përgjigje dhënë euro-deputetes, Dominiques Bilde, e cila e ka pyetur atë me një letër të hapur “nëse BE-ja do t’i bëjë thirrje Kosovës që ta përmbushë marrëveshjen e arritur në Bruksel”.

Dominiques Bilde

Ai i është përgjigjur se “BE-ja pret që të zbatohet gjithçka që është rënë dakord”.

“Të gjitha marrëveshjet në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me mbështetjen e BE-së janë lidhur me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira”, shkruan Borell.

“BE-ja vazhdimisht u kujton të dyja palëve obligimet e tyre të paplotësuara në kuadër të dialogut dhe pret që të gjitha marrëveshjet nga dialogu të zbatohen plotësisht. Këtu përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Pikërisht Asociacioni ka ngelur si ngërçi i pakalueshëm dhe shkaktari i ndërprerjes së bisedimeve në Bruksel, por zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka njoftuar se të martën e 22 shkurtit, në Bruksel, pritet të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbi, në nivel të kryenegociatorëve.

“Ky rund i takimeve do të shërbejë për të vazhduar diskutimet e lidhura me implementimin e marrëveshjeve të deritashme dhe hapat e ardhshëm në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Stano në një përgjigje për Radio Evropa e Lire.

I pyetur rreth mundësisë që së shpejti të ketë takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Stano është përgjigjur se, “zhvillimi i një takimi të tillë do të bëhet i ditur në një kohë të përshtatshme”.

Ndryshe takimi në nivel të kryenegociatorëve në mes të Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe i ashtuquajturi drejtor i zyrës së vetëquajtur “për Kosovën”, Petar Petkoviç, ishte zhvilluar më 16 nëntor të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore