Lajme

Blushi: Si mund të ndihmojë Ukraina të bashkohemi me Kosovën dhe me Evropën?


Analisti dhe publicisti shqiptar, Ben Blushi, është i mendimit se lufta në Ukrainë mund të jetë një shenjë e “fatit të kthyeshëm” për Shqipërinë.

Sipas tij, ajo që mund të parashikohet lehtësisht tashmë është “se Evropa mund të shpejtojë procesin e zgjerimit në Ballkan”.

Kjo jo vetëm me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, por më vonë edhe me Kosovën.

Pasi, sipas Blushit, nëse ky gjykim kthehet në aksion, Shqipëria ka shanse të kapërcejë në një vit pengesa, të cilat “ia vuri vetes, apo të tjerët ia vunë asaj në dhjetë vitet e fundit”.

“Në këtë kontekst, nevoja për një Evropë më të madhe mund ta favorizojë Shqipërinë”, shkruan ai.

Analisti e nis opinionin e tij me dy “komplekse të shqiptarëve: atë të vogëlsisë dhe përkatësisë”.

Për Blushin, megjithëse shqiptarët janë evropianë, ata nuk janë ndjerë pothuajse kurrë të tillë.

“Jemi pushtuar nga Lindja, jemi pushtuar nga Perëndimi, por asnjëra palë nuk na ka njohur si evropianë të vërtetë. Kjo është gjeneza e problemeve tona”.

Edhe pse ai nuk ka besim se do të mund “të shpëtojmë shpejt nga komplekset tona, ndoshta fati po na troket në derë”.

Ky fat do të vijë, pasi Evropa “sot ka nevojë për vende tampon në kufi me Rusinë”.

Ndonëse një dekret evropian “i pashkruar” thotë se pa u zgjidhur çështja e Kosovës, as Shqipëria as Serbia nuk do mund të hynin në Bashkimin Evropian.

Por për Blushin, Ukraina për herë të parë në histori, mund ta ketë grisur këtë dekret të shkruar nga anglezët, francezët dhe rusët, pas luftërave me njëri-tjetrin.

“Duke u rreshtuar me Perëndimin kundër Rusisë, Shqipëria mund të ketë avancuar në garën e vjetër me Serbinë. Ndërsa, kjo e fundit pa dyshim që ka humbur”, shkruan ai.

Ndryshe është pozicioni për Serbinë, e cila për të ka humbur jo vetëm në raport me Shqipërinë, por edhe me Kosovën.

“Ky është avantazhi i dytë në qiellin evropian të Ukrainës, ku Kosova mund të jetë një horizont më i afërt për ne”.

Analisti shtron pyetjen se, nëse Donbasi dhe Luhansku i bashkohen Rusisë, pse jo Kosova të mos i bashkohet Shqipërisë?

Ai shkruan se, Kosova ka vetëm një dalje nga hallet e një vendi shumë të vogël, pa det, me ekonomi modeste, me shumë emigracion dhe me aq shumë presion kufitar nga të gjitha anët.

Të bashkohet me Shqipërinë.

“Ky do ishte një shpëtim për Kosovën dhe natyrisht edhe për Shqipërinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore