Kosova

Bislimi thotë se ia ka vlejtur Kosova t’i humbë edhe 1.5 miliardë euro nga sanksionet e BE-së, sepse “nuk kemi lëshuar pe”


Besnik Bislimi

Ja ka vlejtur të humben edhe 1.5 miliardë euro nga masat/sanksionet e Bashkimit Evropian pasi Kosova nuk ka lëshuar pe në Veri, ka thënë Besnik Bislimi, zëvendës-kryeministër i Kosovës, kur është sfiduar nga deputetët e opozitës në Komisionin Parlamentar se Kosova humbi qindra miliona nga fondet që u stopuan për shkak të masave.

Ishte deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, që i tha Bislimit se janë diku rreth “300 milionë euro humbje që i janë shkaktuar Kosovës”, para të cilat “do të ndikonin në investime që përkthehen në mirëqenie për qytetarët”.

Por, Bislimi iu përgjigj se numër të sigurt dhe kuantifikim të shumës së dëmit është e vështirë të bëhet, për shkak edhe të investimeve potenciale, por edhe “nëse është dëmi pesë herë kjo shifër (pra 5 x 300 milionë, pra 1.5 miliardë) ia ka vlejtur”.

“Nuk mund ta them që nuk është bërë dëmi, sepse dëmi është bërë. Por, ne mendojmë se ia ka vlejtur. Sepse ose është dashur të heqim dorë nga sovraniteti në Veri, ose ta paguajmë një çmim për të vendosur sovranitetin në Veri. Ne mendojmë që ia ka vlejtur, sepse situata sot në Veri është si nata me ditë me situatën para 4 viteve”, deklaroi Bislimi.

Sipas numrit dy të qeverisë, aq punë e madhe është bërë në Veri saqë ngjan sikur ndërtim i një shteti të ri nga e para.

“Merre për shembull metodat e pagesës, merre energjinë elektrike, merre rrugët ilegale, merr kultivimin e kanabisit, zgjedhjet e Serbisë, merr targat, d.m.th është sikur ta ndërtonim një shtet tjetër nga fillimi, kjo ia ka vlejtur edhe 5 herë shumën për të cilën po diskutoni. Ja ka vlejtur mos të lëshojmë pe. Tash na ndoshta masat i kemi paguar, por Radojiçiç është në arrati”, deklaroi Bislimi.

 

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore