Lajme

Bislimi në Bruksel prezanton faktet e përfshirjes së institucioneve të Serbisë në sulmin e 24 shtatorit


Foto e publikuar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi së bashku me ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli, gjatë qëndrimit të tyre në Bruksel janë takuar me drejtorin e përgjithshëm për fqinjësi dhe negociatat e zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, ambasadorë e përfaqësues të BE-së.

Ai ka thënë se gjatë këtij takimi ka prezantuar faktet e përfshirjes së institucioneve të Serbisë në sulmin e 24 shtatorit në Banjë.

“Në lidhje me situatën aktuale, theksova se me 24 shtator Serbia orkestroi akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, ku u vra Rreshteri i Policisë, tashmë Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku”.

“Faktet e përfshirjes së institucioneve të Serbisë janë të shumta: nga prezenca e organizimi i agresionit nga Milan Radojçiç, prezenca e truprojës së shefit të BIA, Vulin, e deri tek mjeti i gjetur e konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, vërtetimi i dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë, strehimi i terroristëve në Serbi dhe glorifikimi i tyre”.

Bislimi ka shtuar se i ka informuar “palët dhe mbi procesin e dialogut e takimin e fundit të nivelit të lartë mbajtur me 14 shtator”.

Bislimi para deputetetëve Jan Briers, Georges Dallemagne dhe Pieter De Spiegeleer nga Parlamenti i Belgjikës, ka deklaruar se viti 2022 ka qenë “vit evropian” për Kosovën.

“Viti i kaluar ka qenë veçanërisht vit evropian për Kosovën ku vendi ynë ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe Këshill të Evropës, si dhe u arrit liberalizimi i vizave për të cilën nisi ditën e djeshme fushata informuese për të gjithë qytetarët”.

Sipas tij, Kosova ka përformuar më lart sesa vendet e rajoni duke marrë parasysh edhe barrierat me të cilat janë përballur.

“Përtej barrierave me të cilat jemi përballur, vendi ynë ka përformuar më lart edhe se vendet e tjera të rajonit veçanërisht në indikatorë ekonomikë e të sundimit të ligjit. Kjo është dëshmi e potencialit tonë për rritje e zhvillim dhe gatishmërisë për hapa të rëndësishëm në integrimin evropian”.

“Vlerësova dhe iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim prezantuar nga Presidentja e Komisionit, znj. Von Der Leyen, si dhe pritshmëritë e Këshillit të BE-së, përfaqësuar nga Presidenti i Këshillit, z. Michel, që zgjerimi të arrihet deri më 2030”.

Ai ka kërkuar që procesi i integrimit evropian të jetë i bazuar në meritokraci dhe të ofrojë instrumentet e barabarta për të gjitha shtetet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore