Shqipëria

Bilanci i SPAK-ut për marsin 2023: 19 kallëzime penale, 8 pasuri të sekuestruara


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka bërë një bilanc të punës për muajin mars të vitit 2023.

Referuar SPAK-ut, muajin mars të këtij viti janë paraqitur 19 kallëzime penale, nga të cilat, për 7 kallëzime është vendosur mosfillim i hetimeve.

Po ashtu janë regjistruar 18 procedime penale, nga të cilët: 7 procedime për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 11 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin.

Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, janë miratuar nga Gjykata e Posaçme masa sigurimi personal ndaj 20 personave nën hetim.

Në kuadër të ligjit anti-mafia është dhënë nga gjykata 1 vendim sekuestrimi sipas të cilit janë sekuestruar: 8 pasuri të paluajtshme dhe 2 llogari bankare me vlerë rreth 259 mijë euro.

Në kuadër të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, është dhënë nga gjykata 1 vendim sekuestroje preventive me 2 pasuri të paluajtshme.

Gjithashtu janë kthyer 45 përgjigje për shkresa të ardhura nga institucione të ndryshme lidhur me statusin e shtetasve dhe zyrtarëve publikë shqiptarë në raport me procedimet penale ndaj tyre.

Sipas SPAK-ut, gjatë marsit janë ekzekutuar gjithsej 5 vendime penale të formës së prerë; nga këto, të gjitha vendimet kanë marrë formë të prerë në Gjykatën e Posaçme të Apelit , ku 3 vendime nga Gjykata e Posaçme e Apelit janë ndryshuar me shënimet përkatëse dhe 2 janë lënë në fuqi.

Janë nxjerrë gjithsej 48 urdhra ekzekutimi për 48 persona të dënuar.

Për 2 persona Gjykata ka vendosur burgim të përjetshëm dhe për 1 person ka vendosur pafajësinë.

Për 20 të dënuar, veç masave të dhëna me dënimet kryesore, është urdhëruar sipas vendimeve të gjykatës dhe sipas nenit 35 të Kodit Penal heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike.

Ndërkaq, për 3 vendime penale të formës së prerë janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për disponimin e provave materiale ku është bërë konfiskimi apo kthimi i tyre sipas vendimmarrjes se gjykatës.

Janë zbardhur dhe miratuar nga prokurorët e posaçëm 20 vendime për miratim takimesh të të paraburgosurve me familjarët e tyre dhe 2 vendime për lejimin e kryerjes së bisedave telefonike.

Gjithashtu janë nxjerrë vendime nga prokurorët për përfundimin e dënimit alternativ dhe u është dërguar Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës ku kanë vendbanimin e tyre, për 2 shtetas.

SPAK-u bën gjithashtu me dije se janë vënë në ekzekutim 6 letërporosi të ardhura nga autoritetet e huaja të drejtësisë, si dhe janë dërguar 16 letërporosi për ekzekutim pranë autoriteteve të huaja.

Dhe se është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar e 1 (një) shtetasi shqiptar.

Sakaq, lidhur me skuadrat e përbashkëta hetimore në kuadër të procedimeve penale në hetim janë mbajtur 6 takime koordinuese me autoritetet e huaja.

Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë marrë pjesë edhe në 8 Takime/Trajnime/Konferenca, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ndërkohë, u është kthyer përgjigje e plotë 17 kërkesave zyrtare për informacion ardhur nga mediat dhe shtetas shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore