Lajme

BiH/ Ndalohet mohimi i gjenocidit në Bosnjë


Përfaqësuesi i Lartë “në largim” i Bosnjë dhe Herzegovinës, Valentin Inzko, ka vendosur ndryshimet në Kodin Penal të Bosnjës, të cilat ndalojnë mohimin e gjenocidit dhe lavdërimin e kriminelëve të luftës.

Vendimi vjen disa ditë para se Inzko të largohet nga zyra dhe t’i dorëzojë detyrën diplomatit gjerman, Christian Schmidt.

Ndryshimet e ligjit që vendosi Përfaqësuesi i Lartë, ndër të tjera, përcaktojnë dënimin me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, për atë që “fal publikisht, mohon, banalizon ose përpiqet të justifikojë një krim të gjenocidit, krime kundër njerëzimit ose një krim lufte”.

Ai prezantoi vendimin e tij, duke kujtuar kompetencat speciale që ka Përfaqësuesi i Lartë nga neni 10 i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

Më tej, Inzko shprehu një shqetësim të thellë “lidhur me individë të shquar dhe autoritete publike në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilët vazhdojnë të mohojnë që aktet e krimeve të gjenocidit kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës ishin kryer gjatë konfliktit të armatosur”.

Mohimi shkon tek ata individë dhe autoritetet publike, që sipas tij, vënë në dyshim publikisht legjitimitetin e gjykimeve të lëshuara nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatën e Bosnjë dhe Hercegovinës. Apo edhe për ata individë dhe autoritete publike, të cilët nderojnë ose vlerësojnë kriminelin e dënuar të luftës.

Ai, gjithashtu, kujtoi se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, në mënyrë të përsëritur pohoi se roli i të dërguarit ndërkombëtar në BiH, si një autoritet përfundimtar në zbatimin e marrëveshjes së paqes, përfshin “autoritetin për të marrë vendime të detyrueshme, pasi gjykon të nevojshme çështjet siç janë përpunuar nga Këshilli i Zbatimit të Paqes në Bon më 9 dhe 10 dhjetor 1997.

“Të vetëdijshëm për faktin se nuk mund të ketë pajtim pa pranimin e krimeve dhe përgjegjësive dhe se gjuha e urrejtjes, lartësimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi ose mohimi i plotë i gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të vendosura nga vendimet përfundimtare gjyqësore minon rregullin e ligjit dhe përfaqëson një pengesë të drejtpërdrejtë për paqen, pajtimin dhe ndërtimin e besimit dhe në fund të fundit minon perspektivat për një të ardhme të sigurt, paqësore për Bosnjën dhe Hercegovinën”.

Ligji, i cili është botuar në faqen zyrtare të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, do të hyjë në fuqi tetë ditë pas këtij botimi dhe një ditë pasi të jetë botuar në Gazetën Zyrtare të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore