Lajme

Biden i bën ballë emigrantëve, tani dëshiron të mbyllë kufirin


“Më jep autoritetin për ta bërë këtë dhe unë do ta mbyll kufirin menjëherë”.

Ky nuk është një premtim i fushatës së Donald Trump. Këto janë fjalët e Joe Biden.

Miqtë dhe kundërshtarët bien dakord në këtë vëzhgim: Biden tani ka bërë një ballafaqim të plotë me emigracionin, deri në pikën e përqafimit të linjës së Trump.

Ai kishte filluar me dinakëri, duke rifilluar ndërtimin e Murit në kufirin me Meksikën.

Por deri pak ditë më parë, Biden u rreshtua me Trump pothuajse fshehurazi, pa e pranuar hapur, nga frika se mos shkaktonte një revoltë në krahun e majtë të partisë së tij.

Me deklaratën e fundit pushoi edhe ky pretendim.

Pas kësaj fytyre ka një përballje të ashpër me realitetin.

Politika lejuese që Biden shpalli në fillim të mandatit të tij ka pasur efekte katastrofike, duke tërhequr një fluks në rritje të emigrantëve të paligjshëm, me pasoja serioze në shumë fusha.

Pasoja këto që renditen nga rendi publik te ndjenja e sigurisë së qytetarëve, deri te kërditë e shkaktuara në financa të atyre autoriteteve lokale ku kostoja e emigrantëve ndihet jashtëzakonisht shumë.

Nuk janë më vetëm republikanët që flasin për një fatkeqësi, por edhe kryebashkiakët demokratë, madje edhe shtypi progresiv në favor të emigracionit.

Një gazetë e lidhur me Partinë Demokratike si New York Times ka një titull në faqen e parë për “Krizën në Kufi”.

Kurse në nëntitull evokon pamundësinë e mbajtjes së “premtimit për të përmbysur politikat e Trump”.

Në artikull thuhet se “numri i njerëzve që kalojnë kufirin për të hyrë në SHBA ka arritur nivele rekord, më shumë se dyfishuar në krahasim me vitet e Trump. Sistemi i pritjes për azilkërkuesit praktikisht është shembur”.

New York Times nënvizon përsëri kthimin total të Bidenit duke shkruar se “tani ai i lutet Kongresit t’i japë atij kompetencat për të mbyllur kufirin”.

Kur hyri në Shtëpinë e Bardhë, përkundrazi, mbërriti mesazhi i parë urbi et orbi me pezullimin e të gjitha dëbimeve të emigrantëve të paligjshëm.

Një tjetër gazetë tradicionalisht e favorshme për emigracionin është e përjavshmja The Economist.

Sot verdikti i saj është një refuzim i politikës së kufijve të hapur të shpallur në fillim të presidencës Biden.

Që kur ai ka qenë në Shtëpinë e Bardhë, thekson The Economist, “3.1 milionë njerëz kanë kaluar kufirin. Kjo është më shumë se e gjithë popullsia e Çikagos. 1.7 milionë të tjerë kanë hyrë fshehurazi ose duke mashtruar me viza”.

Sakaq, për të rënduar pakënaqësinë me Bidenin, ka një boshllëk në qëndrimet e administratorëve vendorë të dy partive.

Guvernatorët dhe kryebashkiakët republikanë, në mosmarrëveshje totale me mesazhet fillestare lejuese të Shtëpisë së Bardhë, nuk duan emigrantë të paligjshëm në qytetet dhe shtetet e tyre, ndaj i inkurajojnë ata të shkojnë diku tjetër.

Disa shtete dhe qytete të qeverisura nga demokratët e kanë përcaktuar veten prej shumë vitesh si “strehë”, të cilat ofrojnë mbrojtje edhe për ata që nuk kanë dokumente të rregullta qëndrimi, madje marrin përsipër të sigurojnë strehim për ata që vijnë në kundërshtim me ligjin.

Rezultati është se pushtimi i emigrantëve të paligjshëm lëviz nga Teksasi drejt New York-ut, Çikagos, Los Angeles-it.

Kjo, pranon The Economist, “shpjegon pse votuesit u besojnë republikanëve për të adresuar sigurinë kufitare me 30 pikë përqindjeje. Është çështja ku Partia Republikane ka marzhin më të lartë të avantazhit”.

The Economist, pavarësisht se ka mbajtur gjithmonë një linjë editoriale pro emigracionit, tani del përpara në një editorial për t’i kërkuar Bidenit të bëjë kompromis me Partinë Republikane, për të cilën ai pranon se po bën kërkesa “të arsyeshme”.

Më pak e arsyeshme, edhe sepse në thelb është e padobishme, është procedimi aktual i nisur nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve për shkarkimin e ministrit të Sigurisë Kombëtare që drejton policinë kufitare, Alejandro Mayorkas.

Fatkeqësisht, deficiti i besueshmërisë midis demokratëve dhe republikanëve në këtë bazë është tani aq i lartë sa çdo gjë që bën Biden rrezikon t’i kthehet pas.

Thirrja e përzemërt drejtuar Kongresit – “votoni një ligj për të siguruar kufirin dhe unë do ta nënshkruaj menjëherë” – rrezikon të ketë një efekt bumerang.

Në pritje dhe frikë se kjo do të ndodhë, flukset mund të fryhen edhe më shumë.

I njëjti efekt mund të rezultojë nga parashikimet për kthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Në të ardhmen e afërt kjo mund të rrisë fluksin e emigrantëve të paligjshëm, të cilët përpiqen të përfitojnë prej tij teksa kanë ende kohë.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore